KOSOVË- Kryeqyteti i Kosovës,është bërë sërish arenë e përplasjes mes qytetarëve dhe policisë. Rreth ores 12:00 të mesditës, mijëra qytetarë kosovarë, kanë protestuar duke kërkuar shkarkimin e ministrit serb në qeverinë e Kosovës Aleksandar Jabllanoviç si dhe kthimin e Trepçës në pronë publike, të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje. Policia ka vendosur barrikada përreth turmës së protestuesve, ndërsa përfaqësuesit e Vetëvendosjes kanë kërkuar heqjen e tyre. Kjo gjë është bërë shkak për përplasje mes protestuesve dhe policisë, ndërsa kjo e fundit ka përdorur gazin lotsjellës dhe ujin për ti shpërndarë, protestuesit kanë hedhur sende të forta në drejtim të uniformave. Si pasojë e përleshjeve me policinë dhe përdorimit të gazit lotsjellës, janë lënduar nënkryetari i VV Visar Ymeri, i cili është larguar me ambulancë si dhe kreu i VV Albin Kurti. Kurti është detyruar të braktisë për disa minuta protestën për tu rikthyer sërish. Policia ka arritur të largojë protestuesit nga sheshi “Skënderbe” drejt sheshit “Zahir Pajaziti”. Ndërkohë që raportohet për dhjetëra të plagosur si në radhët e protestuesve ashtu edhe në radhët e uniformave të policisë. Gjithashtu janë ndaluar dhe shoqëruar në postën e policisë dhjetëra protestues.
protestakosove

Dejona Mihali, aktiviste e VV tha në një lidhje telefonike për News24 se policia ka ndërhyrë 4 herë me gaz lotsjellës. Protestuesit janë shpërndarë për disa momente dhe më pas janë tubuar sërish.

Protestuesit janë mbledhur fillimisht në sheshin ‘Skënderbeu’, duke bërë thirrje kundër kryeministrit Isa Mustafa, të cilit i ishte vendosur një afat për shkarkimin e ministrit të Listës Serbe, Jabllanoviç.

Lidhur me ketë protestë edhe krerët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe të Nismës, Fatmir Limaj kanë garantuar mbështetje. Protestuesit kanë hedhur parulla kundër kryeministrit Mustafa, zëvendëskryeministrit Thaçi dhe Jabllanoviç.
priotesta8
Ndërkaq forca të shumta policie ndodhen në vendin ku po mbahet protesta. Në fakt Policia e Kosovës deklaroi nëpërmjet një njoftimi se nuk do të tolerojë çfarëdo akti dhune apo sulme të mundshme ndaj personave fizikë, juridikë si dhe dëmtimit të pronës shoqërore dhe atyre private.

Policia bëri të ditur se protesta është e paparalajmëruar, ashtu siç parashihet me ligjin mbi tubimet publike. “Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, për mbarëvajtjen e protestës si dhe krijimin e mundësisë së lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve. Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi. Zbatimi i ligjit, garantimi i rendit dhe qetësisë publike, lëvizja e lirë dhe mbarëvajtja e qetë e kësaj proteste është prioritet i planit të PK-së, mirëpo nuk do të tolerohet shprehja në çfarëdo forme e akteve të dhunës, sulmeve të mundshme ndaj personave fizikë, juridikë si dhe dëmtimit të pronës shoqërore dhe atyre private”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Ora 18:00 -PROTESTUESIT KANË NDEZUR KONTEJNERË NËPËR RRUGË
Protestuesit tani ndodhen tek Posta e kryesore në lagjen “Ulpiana” ku shihet se nëpër rrugë kanë ndezur edhe kontejnerët.
Gazetari i Kosovapressit bën të ditur se njësia special e Policisë nuk ka lejuar deputetin Fisnik Ismaili që t’u bashkëngjitet protestuesve të mbetur rrugëve të Prishtinës.
Nuk dihet nëse Ismaili ka gjetur rrugë alternative për t’u bashkuar me protestuesit.

Ora 16:50-SITUATË MË E QETË NË QENDËR TË PRISHTINËS
Protestuesit e shumtë të cilët kanë protestuar gjatë gjithë ditës së martë kanë filluar të shpërndahen sapo ra mbrëmja. Ndonëse situata ende duket disi e tensionuar, shihen shumë pak njerëz në qendër të Prishtinës. Po kështu edhe më pak forca policore. Ndërkohë pritet që kryeministri Isa Mustafa dhe zv. kryeministri Hashim Thaçi, pritet të mbajnë një konferencë të jashtëzakonshme për media.

Ora 16:30-POLICIA ARRESTON DISA PROTESTUES
arrest
Policia e Kosovës ka arrestuar një grup protestuesish të cilët ishin pozicionuar përballw ndërtesës së qeverisë së Kosovës, përkatësisht ish-objektit të Rilindjes. Në videon e siguruar nga Koha.net, shihen disa të rinj të ulur në tokë prapa njëri-tjetrit me duar të lidhura.
protestakosove6

Ora 16:20-PRESIDENTJA BËN THIRRJE PËR QETËSI: PROTESTUES SHPËRNDAHUNI, DHUNA NDAJ POLICISË E PATOLERUESHME
Duke marrë shkas nga gjendja e rëndë e krijuar në Prishtinë për shkak të protestave para qeverisë, presidentja Atifete Jahjaga ka bërë një deklaratë ku bën thirrje për qetësi.

Më poshtë e keni deklaratën e plotë nga presidentja Jahjaga
Skenat kaotike dhe të dhunshme në rrugët e Prishtinës, janë plotësisht të papranueshme. Bëj thirrje për qetësi dhe rivendosje të rendit në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit si dhe për reflektim. Ju bëj thirrje protestuesve të mbetur në rrugët e qytetit të Prishtinës që të shpërndahen në mënyrë të qetë dhe të mos vazhdojnë përplasjen me Policinë e Kosovës, një institucion përgjegjës për ruajtjen e rendit dhe të ligjit dhe për sigurinë e secilit qytetar të vendit. Ajo është Policia jonë.

Udhëheqësit politikë të të gjitha partive në vend, përfshirë pozitën dhe opozitën, të rinisin dialogun ndërmjet vete dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët për zgjidhjen e çështjeve të hapura, duke e ndërprerë këtë cikël të dhunës në rrugë. Kërkoj gjithashtu nga liderët politikë të vendit nga i gjithë spektri politik, të distancohen nga aktet e dhunës që po e dëmtojnë rëndë shtetin tonë të ri.

E konsideroj të papranueshme dhunën ndaj Policisë së Kosovës dhe dëmtimin e pronës publike e private nga protestuesit në protestat e sotme. Protesta është e drejtë e patjetërsueshme dhe e garantuar me Kushtetutën e vendit, por kjo e drejtë vjen me përgjegjësi dhe dhuna e sotme në sheshet e Prishtinës prish rëndë rendin dhe ligjin dhe cenon seriozisht sigurinë e qytetarëve.

Zgjidhjet institucionale dhe gjuha e dialogut janë mënyra më e mirë për të tejkaluar situatat e krijuara dhe duhet të veprojmë bashkërisht në parandalim të çfarëdo eskalimi të mëtutjeshëm të gjendjes.

Ora 15:50-AHMETI: ARRESTIMI IM ËSHTË POLITIK
shpendi
Kryetari i Komunës së Prishtinës, pas lirimit nga Stacioni Policor, arrestimin e tij nga ana e Policisë së Kosovës, e ka quajtur arrestim politik. Sipas Ahmetit, nuk kishte asnjë arsye nga ana e policisë që ai të arrestohet.

“Nuk jam i lënduar, mirëpo një komandant më ka shtrënguar dorën dhe më arrestoi. Kur i pyeta për arsyen e arrestimit, ai më tha se arsyet do të mi tregojnë në stacion”, ka thënë Ahmeti për Koha.net.

Ky i fundit ka theksuar se policia nuk i lejoi as fjalimet. “Nuk ka qenë e nevojshme e gjithë kjo. Ata nuk lejuan të mbahen as fjalimet e përgatitura, po e theksoj se krejt kjo është politike”, është shprehur Ahmeti.

ORA 16:00-PROTESTA E SOTME E CILA NISI NË ORËN 12, PO VAZHDON ENDE
Protestuesit vijojnë të godasin policinë me sende të forta, ndërkohë që policia po përgjigjet me gaz lotsjellës.

Ora 15:45-POLICIA: PROTESTA NUK ISHTE PARALAJMËRUAR, PËRDORËM MASAT E LEJUARA
protestakosove4

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, i tha KTV-së se protesta e sotshme nuk ishte e paralajmëruar në përputhje me dispozitat ligjore.
“Megjithatë ne nuk e penguam dhe ajo kishte filluar e qetë, por paso orës 12 e 15 minuta nisi të përshkallëzojë, kur protestuesit nisën të sulmojnë policinë me mjete të forta.
Ata me gjithë thirrjet për të protestuar qetas, nuk u ndalen dhe policia bëri një intervenim të lehtë. Situata as pas kësaj nuk u qetësua dhe ne ndërmorëm masat e lejuara”.

Kelani shtoi se nuk donim ta pengonim protestën, as lirinë e shprehjes, por dhuna e shfaqur nga disa protestuese na shtyri të ndërmarrim hapa për shpërndarjen e saj.

Kelani i tha KTV-së se sipas informata që ka policia, deri në orën 15 në Emergjencë të QKUK-së kanë kërkuar ndihmë 20 zyrtarë policorë dhe 12 qytetarë – protestues. Ai po ashtu tha se janë arrestuar 27 protestues.

Protestuesve, shtoi ai, u kemi bërë thirrje që të mos dëmtojnë pronën shoqërore, sepse është e kundërligjshme, por një numër sish manifestuan përdorimin e dhunës dhe ata vazhdojnë të jenë të dhunshëm. Ne, tha ai, do të vazhdojmë mesat e lejuara kundër tyre, deri në shpërndarje.

Ora 15:40-VETËVENDOSJA: POLICIA E KOSOVËS PO GJUAN ME PLUMBA GOME
Lëvizja Vetëvendosje (VV), në faqen e saj zyrtare në Facebook ka shkruar se Policia e Kosovës po gjuan me plumba gome.

“Policia e Kosovës po gjuan me plumba gome. Është goditur në qafë aktivisti Valon Hoti”, ka shkruar VV-ja në Facebook. VV-ja kanë sqaruar se aktivisti Valon Hoti është goditur në qafë.

ORA 15:10-ARRESTOHET SHPEND AHMETI, LIROHET PAS DISA MINUTASH
shpendi2
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, është arrestuar sot nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ndërsa po protestonte kundër Jabllanoviqit dhe për mbrojtjen e Trepçës.

“Kryeministri Isa Mustafa, i cili e humbi Komunën e Prishtinës, tani po përdor dhunë e brutalitet policor kundrejt protestuesve, të cilët sot ishin mbledhur me mijëra në sheshin kryesor të qytetit për ta kërkuar shkarkimin e Ministrit Jabllanoviq dhe shndërrimin e Trepçës në ndërmarrje publike”, thuhet në njoftimin për media të Komunës së Prishtinës.

“Arrestimi i Kryetarit të Komunës ka ndodhur në ora 14:30”, theksohet më tej në komunikatë. Megjithatë, Ahmeti është liruar nga Policia pas rreth gjysmë ore mbajtje nën arrest.

ORA 15:00-GRUPE PERSONASH I BASHKOHEN PROTESTES NE PRISHTINE
Grupe personash kanë mësyrë Prishtinën për t’u bërë pjesë e protestës së sotme nga qytete të ndryshme të Kosovës. I pyetur nga KTV, zëdhënësi i policisë, Baki Kelani, nuk ka mundur të konfirmojë një gjë të tillë.
“Ne nuk kemi informacion zyrtar për ardhjen e qytetarëve në protestë nga qytete tjera. Nga organizatorët ka pasur informacione se policia po i bllokon protestuesit e qyteteve tjera të vijnë në Prishtinë, por kjo nuk është e vërtetë”, ka thënë Kelani.

policiivrare

Protesta mi
albin3

arrestimkosove

(d.b/m.k/a.h/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: