BRUKSEL- Kosova dhe Serbia i kanë dhënë fund një rrugëtimi të gjatë dialogu, shpesh herë dhe të ashpër, duke firmosur 4 marrëveshjet gjatë bisedimeve në Bruksel, për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

Kjo e fundit e ka quajtur këtë përmes rrjetit social “Twitter” si një arritje të madhe në procesin e normalizimit.

“Rezultatet si këto të sotmet sjellin përfitime konkrete ndaj njerëzve dhe njëkohësisht i jep mundësinë të dyja vendeve në rrugën për të përparuar në rrugën drejt BE-së. Përkushtimi i dy kryeministrave ishte element kryesor dhe ju konfirmoj se BE do të mbështesë vazhdimisht zbatimin e plotë të këtij rezultati”, ka deklaruar Mogherini.

Nënshkrimin e marrëveshjeve të konfirmuara nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa edhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, përfshijnë konkretisht atë për telekomin, energjetikën, barrikadën mbi urën e lumit Ibër, dhe për asosacionin e komunave serbe.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hashim tha se Serbia u detyrua në fund që të pranojë marrëveshjen, edhe pse ka refuzuar gjatë gjithë ditës.

“Pala serbe kërkonte që Asociacioni të jetë me karakter ekzekutiv, por kjo nuk është pranuar as nga pala kosovare e as nga ajo ndërkombëtare. Asociacioni do të jetë një OJQ, që komunat të bashkëpunojnë ndërmjet tyre, ashtu sikurse është Asociacioni aktual i Komunave”, është shprehur ai.

Sipas tij, i gjithë pretendimi i Serbisë është hedhur poshtë dhe në fund është detyruar me nervozizëm dhe me agresivitet të nënshkruaj marrëveshjen.

I të njëjtët qëndrim ka qenë dhe deklarata e kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, i cili tha për median se bashkësia e komunave nuk do të ketë asnjë kompetencë ekzekutive, kështu që funksionimi i shtetit të Kosovës do të jetë normal dhe i suksesshëm.

Por Vuçiç duket se ka thënë tjetër gjë në lidhje me përmbajtjen e marrëveshjes në fjalë, duke theksuar se “është rënë dakord që bashkësia e komunave serbe do të ketë kompetenca të gjera, një president, zëvendës-president, kuvend, këshill, stemë, flamur dhe do të financohet nga Serbia”.

“Këto janë marrëveshje të mira që garantojnë sigurinë dhe mbijetesa e serbëve në Kosovë”, shtoi Vuçiç.

E rëndësishme është konsideruar dhe marrëveshja për urën mbi lumin Ibër, barrikada e së cilës sipas kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri pritet të hiqet përfundimisht që prej 15 tetorit.
Ndërkaq në lidhje me telekomunikacinin, Kosova do të vazhdojë të ketë prefiksin e saj + 383, ndërsa Serbia do të ketë një kompani të sajën në Kosovë.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb