*Nënshkruhet marrëveshja 9.7 milionë euro, Gjosha: Marrëveshja, impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve të dy vendeve

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë zhvilluar sot mbledhjen e tretë të përbashkët që është mbajtur në bibliotekën e Prishtinës. Gjatë kësaj mbledhjeje u fol për bashkëpunimin mes dy vendeve dhe zhdukjen e barrierave si dhe u nënshkruan shtatë marrëveshje, në fusha të ndryshme mes dy qeverive përkatëse.

Kapacitetet e përbashkëta gjeneruese, Gjiknuri-Stavileci firmosin memorandumin

Ministrat (1)

Ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë Z.Damian Gjiknuri dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës z.Blerand Stavileci nënshkruan sot në Prishtinë një memorandum bashkëpunimi.

Ky Memorandum ka objekt bashkëpunimin ndërmjet dy ministrive, nëpërmjet Agjencive përgjegjëse të secilit vend, për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese dhe/ose fuqizimin e kapaciteteve aktuale gjeneruese me investime të përbashkëta, me synim optimizimin e burimeve energjetike.

Palët bien dakord se ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese dhe/ose fuqizimi i kapaciteteve aktuale gjeneruese me investime të përbashkëta do të realizohet në Republikën e Kosovës.

“Është plotësisht i mundshëm, për shkak të mundësisë që ka Kosova me burimet e saj të linjitit dhe interesit të shprehur tashmë edhe të partnerëve privat, për tu bërë pjesë e këtij projekti të përbashkët energjitik. Sëbashku me linjën e interkonjeksionit që shumë shpejt do jetë në funksion, apo edhe me faktin se Shqipëria dhe Kosova po aplikojnë si një vend i vetëm në Bashkimin Evropian për projektet e fushës së gazit. Janë projekte të pranuara nga BE si projekte prioritare dhe kjo do të hapë mundësinë që jo vetëm Shqipëria të kthehet në një nyje të rëndësishme energjitike por diversifikimi i Kosovës me gaz do të hapë mundësinë e krijimit të unazës energjitike ku ajo do të bashkëpunojë edhe me Serbinë. Kjo do ti japë rajonit një siguri më të madhe energjitike dhe do të ulë varësinë nga burimet tradicionale të furnizimit. Kjo do të kontribuojë që të ketë një siguri më të madhe energjitike për Ballkanin dhe do të kontribuojë edhe në paqen e stabilitetin sepse gjërat janë të lidhura”, u shpreh z.Gjiknuri.

Sipas memorandumit, rezervat specifike të secilit vend me burime primare gjeneruese të energjisë elektrike, ku Republika e Shqipërisë mbështetët në burimet energjetike hidro dhe Republika e Kosovës në burimet energjetike termo, si dhe lidhja e të dy vendeve me linjë 400 kV të interkonjeksionit Tiranë – Prishtinë, do të shfrytëzohen maksimalisht me krijimin dhe zhvillimin e një tregu të përbashkët energjetik.

Palët bien dakord se shfrytëzimi i dy sistemeve komplementare të burimeve të gjenerimit në të dy vendet dhe ndërtimi i burimeve të reja gjeneruese në Republikën e Kosovës, do të optimizojnë shfrytëzimin e burimeve gjeneruese dhe do të rrisin sigurinë e furnizimit me energji elektrike të të dy vendeve

Të dy qeveritë bien dakord që drejtpërdrejte ose nëpërmjet Agjencive të tyre zbatuese, do të bashkëpunojnë për sigurimin e fondeve financiare për realizimin e investimeve në burime të reja gjeneruese.

Palët shprehin vullnetin që të marrin masat e arsyeshme në mënyrë që të sigurojnë fondet financiare për realizimin e objektit të këtij Memorandumi nga burimet si më poshtë: nga burime të brendshme financiare, në varësi të mundësisë dhe buxhetit të secilës palë; nga burime të jashtme financiare, ku përfshihen financimet nga institucione të ndryshme financiare ndërkombëtare apo nga iniciativa të tjera që do të identifikohen nga palët.

Iniciativat për sigurimin e financimeve nga institucione të ndryshme financiare ndërkombëtare do të realizohen në bashkëpunim me njëra tjetrën.

AHMETAJ NËNSHKRUAN MARRËVESHJET
Edhe Ministri Ahmetaj në Mbledhjen e Përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës, për bashkëpunimin e deritanishëm dhe marrëveshjet e firmosura me homologun Hoti.

“Memorandumi i Mirëkuptimit për Forcimin e Bashkëpunimit mes Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë, në këndvështrimin tim përbën një dokument të rëndësishëm mbi bazën e të cilit u hartua Plani I veprimit  për zbatimin, i cili përfshin domosdoshmërisht fusha të  rëndësishme si:

Lufta kundër ekonomisë informale; Organizimi i njësive të përbashkëta hetimore dhe Qendrës së përbashkët të trajnimeve.

Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve tatimore dhe doganore të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në fushën e hetimeve administrative dhe hetimeve tatimore dhe doganore, rregullon bashkëpunimin në fushën e hetimeve penale dhe administrative mes institucioneve të fushës së tatimeve dhe doganave të autoriteteve  të të dy vendeve. Ajo harmonizon dhe çështjen e këmbimit të informacionit mes dy palëve, me qëllim pasurimin e proceseve hetimore, si dhe rritjen e kapaciteteve të hetimit në të dy krahët”, tha Ahmetaj.

Ai shpjegoi se marrëveshja për Krijimin e Qendrës së përbashkët të trajnimeve-ka si qëllim rritjen e kapaciteteve profesionale të institucioneve fiskale të Shqipërisë e Kosovës dhe shkëmbimin e përvojave të të dy anëve të kufirit.

“Harmonizimi i çmimeve referente të transportit rregullon përfshirjen e shpenzimeve të transportit rrugor, hekurudhor, detar, ajror në vlerën doganore të mallrave të importuara dhe krijohet mundësi më e madhe e aplikimit të vlerës së transaksionit dhe deklarimit të këtyre shpenzimeve përmes akteve dokumentare, përbën një hap përpara dhe në qartësimin e atyre procedurave të cilat kanë qenë deri më atëherë, të paqarta. Janë njehsuar 20 certifikata midis AKU dhe AUV të Republikës së Kosovës. Një element shumë i rëndësishëm për te përshpejtuar transitin doganor. Ka përfunduar dakordësimi i çmimeve të referencës për produktet  fruta-perime, kanë përfunduar procedurat për  terminalin e përbashkët doganor, një hap tejet i rëndësishëm për lehtësimin e tregtisë midis dy vendeve, si dhe integrimi së fundmi i asigudës duke bërë të mundur transitin e shumëkërkuar të përbashkët Shqipëri-Kosovë”, tha më tej ai.

Ai foli edhe për krijimin e kanalit të gjelbër për eksport/ importin e produkteve sezonale/ bujqësore. “Ministria e Financave shqiptare ka nxjerrë dy udhëzime: i pari për zhdoganimin tek subjekti grumbullues për produkte  bujqësore dhe blegtorale drejtpërsëdrejti, dhe i dyti, ofrimi i shërbimeve të agjencive doganore 24 orë gjatë 7 ditëve të javës për eksport- importin e produkteve bujqësore kryesisht me Kosovën.

Këto janë pak nga ato shumë arsye pse sot tregjet tona janë shumë afër me njëri –tjetrin dhe volumi tregtare ka kaluar tek  200 mln euro, ndërkohë që Kosova është kthyer në një nga partnerët tanë kryesorë në tregti”, tha Ahmetaj.

Ai tha se probleme kemi disa  për të zgjidhur, që do të bëjnë një hap akoma më të rëndësishëm në totalin e tyre dhe unifikimit të tregjeve.

“Është rishikimi i tarifave  në terminale, që është një çështje e mbartur besoj.  Bizneset shqiptare paguajnë tarifën e terminaleve doganore  akoma rreth 40 Euro. Në takimin e disa ditëve më parë me ministrin Hoti, ne kemi rënë dakord ta shqyrtojmë këtë çështje nga ana kosovare, ndërkohë që bizneset Kosovare paguajnë  koston e skanimit rreth 22 euro. Ndërkohë po punohet për eliminimin e kontrolleve të dyfishta nga AKU dhe AUV, të cilat i bëjnë bizneset e të dy anëve, të harxhojnë diku më shumë se një orë, në normalitet, në kufi. Kemi  rënë dakord që ta kthejmë Doganën e portit të Durrësit shumë shpejt , në një doganë  të përbashkët edhe për tregun Kosovar. Nëpërmjet këtij hapi dhe transitit te përbashkët, do të bëjmë  realitet pikërisht atë që kufiri i Morinës për entitetet, subjektet kosovare në aspektin doganor të mos ekzistojë fare, pra të bëjnë zhdoganimin direkt në Durrës  dhe të përfundojnë mallrat direkt në tregun kosovar. E fundit është  rritja e përdorimit të shkëmbimit elektronik për të përshpejtuar transaksionet tregtare dhe identifikimi i shfrytëzimit të mundësive për një përdorim më të gjerë të tyre, qe do të bëjë të mundur gjithashtu që administratat të tërhiqen nga vizibiliteti dhe të shërbejnë  përtej mureve nëpërmjet platformave elektronike”, përfundoi Ahmetaj.

NËNSHKRUHET MARRËVESHJA PËR TAHOGRAFIN

foto 2

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës  Edmond Haxhinasto, ka firmosur marrëveshjen mes Ministrisë së Transporteve  të Shqipërisë dhe Ministrisë  së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, për njohjen e ndërsjelltë të çertifikatës për testim/kalibrim të Tahografit për mjetet rrugore. Duke folur në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, Haxhinasto u ndal te bashkëpunimi mes Ministrive së Transportit të dy vendeve, duke theksuar se kjo marrëveshje do të lehtësojë më shumë transportin e udhëtarëve dhe mallrave mes vendeve.

“Integrimi I dy vendeve tona kërkon rritjen e bashkëpunimit në fushën e transportit.  Kjo është një marrëveshje me shumë rëndësi për transportin e udhëtarëve dhe mallrave. Së bashku me palën kosovare me të cilën kemi bashkëpunim të shkëlqyer, kemi identifikuar pjesët e infrastrukturës tonë si pjesë të rrjetit rajonal Europian. Rruga e Kombit, është pjesë e rrjetit rajonal dhe europian të infrastrukturës, është një aks kryesor për lidhjen me Korridorin 8, Korridorin Adriatiko-Jonian, duke qëndruar në zemër të rajonit me rëndësi strategjike për konektivitetit, jo vetëm për vendet tona por edhe më gjerë. Kemi arritur progres në planin dypalësh  në liberalizimin e tregut,  me qëndrime të hapura dhe mbështetëse, përsa I takon integrimit të mëtejshëm të tregut dhe heqjes së barrierave jo fizike. Sfidë për ne, mbetet rritja e trafikut ekonomik në “Rrugën e Kombit”, dhe  në portet  shqiptare. Kemi shprehur gadishmërinë për të realizuar traktatin e “Komunitetit të Transportit” për rajonin, nisëm e rëndësishme për Samitin e Parisit. Do të vazhdojmë  me sfidat e tjera për të përhapur modelin e suksesshëm  “One Stop Shop”. Jam I bindur se Samiti I Parisit, do të reflektojë produkte konkrete , për rritjen e lidhshmërisë mes vendeve tona dhe të rajonit.”- deklaroi Haxhinasto.
NËNSHKRUHET MARRËVESHJA 9.7 MILIONË EURO, GJOSHA:  IMPAKT TË DREJTPËRDREJTË NË JETËN E QYTETARËVE TË DY VENDEVE

gjosha
Gjatë mbledhjes së tretë të qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës, u nënshkrua Marrëveshja e Partneritetit për Programin IPA CBC Shqipëri-Kosovë mes MIE dhe MAPL.

Ministrja e integrimit prezantoi këtë marrëveshje dhe theksoi se ajo do të këtë impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve të të dy vendeve. “Objektivi i Programit është promovimi i qëndrueshmërisë socio-ekonomike në zonat ndërkufitare duke nxitur bashkëpunimin midis individëve, institucioneve dhe komuniteteve”, u shpreh Ministrja Gjosha.

Kjo do të arrihet duke hartuar projekte të përbashkëta në tre prioritete madhore, nga të cilat rajonet përfituese nga të dy vendet do të mund të përfitojnë në vitet e ardhshme, si mbrojtja e mjedisit, nxitja e turizmit dhe investimi për rininë, edukimin dhe aftësitë. (zonat e lejueshme te programit: Qarqet e Kokësit dhe Lezhës).

Fjala e plotë e Ministres:
Para së gjithash kam kënaqësinë dhe nderin të jem pjesë e kësaj ceremonie të përbashkët ndërmjet dy vendeve tona, Kosovës dhe Shqipërisë që janë kaq pranë dhe kanë bashkëpunuar me rezultate të suksesshme siç është edhe ky takim i sotëm i sotëm, fryt i një pune të përbashkët prej disa muajsh.

Më lejoni në retrospektivë t’Ju rikujtoj rrugëtimin që na solli bashkë këtu sot për të firmosur Marrëveshjen e Partneritetit midis Shqipërisë dhe Kosovës në kuadër të Programit IPA II, Bashkëpunimi Ndërkufitar 2014-2020. Kjo Marrëveshje ka për qellim përcaktimin e rregullave te bashkëpunimit për menaxhimin e Projektit te Asistencës Teknike për zbatimin e këtij Programit.
Programi IPA CBC Shqipëri-Kosovë 2014-2020 kaloi përmes një procesi të gjerë konsultimi duke u finalizuar me miratimin nga Komisioni Evropian më 11 dhjetor 2014, me një shumë prej mbi 9.7 milion Euro. Objektivi i Programit është promovimi i qëndrueshmërisë socio-ekonomike në zonat ndërkufitare duke nxitur bashkëpunimin midis individëve, institucioneve dhe komuniteteve. Këto programe do të kenë impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, çka është mendoj më e rëndësishmja.

Kjo do të arrihet duke hartuar projekte të përbashkëta në tre prioritete madhore, nga të cilat rajonet përfituese nga të dy vendet do të mund të përfitojnë në vitet e ardhshme, si mbrojtja e mjedisit, nxitja e turizmit dhe investimi për rininë, edukimin dhe aftësitë.
(zonat e lejueshme te programit: Qarqet e Kokësit dhe Lezhës).

Shqipëria dhe Kosova janë pjesë e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe janë plotësisht të angazhuara për të plotësuar të gjitha kriteret që mbart anëtarësimi. Është e vërtetë që sfidat me të cilat përballemi janë të shumta, por janë pikërisht të tilla programe si ky që reflektojnë arritjet e të dy vendeve në kuadër të bashkëpunimit rajonal e territorial. Mendoj se nuk ka mënyrë më të mirë se programe të tilla ndërkufitare, siç ka treguar edhe përvoja e mëparshme, që të nxisin bashkëpunimin midis komuniteteve të zonave përfituese duke sjellë më pranë njerëzit, traditat, kulturën.

Në këtë kuadër, falënderoj ekipet e dyja vendeve që kanë punuar me përkushtim në finalizimin me sukses të Marrëveshjes së Partneritetit.

Duke ju uruar suksese në këtë sipërmarrje, ju siguroj angazhimin tonë të përhershëm që forcon më tej bashkëpunimin midis vendeve tona.
(m.k/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: