KOSOVË-Dy pjesëtarë të policisë së Kosovës në veriun e Mitrovicës, janë pezulluar nga puna deri në përfundimin e hetimeve që po zhvillohen për vrasjen e policit Enver Zymberi katër vjet më parë.

Autoritetet nuk kanë dhënë më shumë hollësi për pezullimin e policëve, Miodrag dhe Milan Lekiç, të cilët thuhet se janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve nga zyrtarët e Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

Enver Zymberi, pjesëtar i njësisë së posaçme të policisë së Kosovës u vra në një pritë në afërsi të Zubin Potokut më 26 korrik të vitit 2011, gjatë një operacioni për vënien nën kontroll të vendkalimeve kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri. Pas vrasjes ai u shpall hero i Kosovës me dekret të posaçëm të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Për përfshirjen në vrasjen e tij akuzohen edhe kryetari aktual i komunës së Zubin Potokut, Stevan Vuloviç, ish kryetari paralel i kësaj komune Slavisha Ristiç, si dhe tre pjesëtarë të tjerë të komunitetit serb që ndodhen në paraburgim.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb