Zëvendësministrja e Financave, Vasilika Vjero, foli në një lidhje me “Skype” në News24 për procesin e fiskalizimit, që do të nisë më 1 janar të 2021-shit.

Zv.ministrja deklaroi se nga 1 janari do të nisë fiskalizimi vetëm për bizneset që kryejnë transaksione me institucionet publike, nga 1 korriku i 2021-shit nis fiskalizimi për të gjitha bizneset që do të kryejnë transaksione mes tyre dhe duke filluar nga 1 shtator nis fiskalizimi edhe për transaksione me para në dorë.

“Procesi i fiskalizimit është gati për fillimin e implementimit nga 1 janari. Do të përfshijë të gjitha kategoritë e bizneseve. Është i ndarë dhe me afate të caktuara kohore. Më 1 janar do të nisë fiskalizimi për transaksionet që kryhen mes bizneseve dhe institucioneve publike. Ndërkohë, duke filluar nga 1 korriku do fillojë procesi i fiskalizimit për të gjitha bizneset që do të kryejnë transaksione mes tyre. Më 1 shtator nis fiskalizimi edhe për pjesën tjetër, që kryejnë transaksione me para në dorë”, u shpreh zv.ministrja.

Drejtoria e Tatimeve ka publikuar termat dhe kushtet, ku bie në sy fakti që administrata tatimore nuk mban përgjegjësi për gabimet apo për aksesin e një pale të tretë të paautorizuar. Është kështu?
Janë të përcaktuara në ligjin për procedurat tatimore. Të dhënat deklarohen dhe çdokush mban përgjegjësi. Çdo faturë, transaksion, kupon, që do të kryhet në sistemin e madh të fiskalizimit pa dyshim që do të jetë pjesë e tatim-paguesve, që duhet ta hedhin me korrektësi. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.

Me çfarë duhet të jenë të pajisur tatim-paguesit?
Po flasim për transaksionet që do të kryhen mes biznesit dhe institucioneve publike, që do të bëhen elektronike. Do të jetë një sistem falas, pa asnjë kosto për tatim-paguesit. Sistemi është në çdo moment i aksesueshëm. Biznesi do duhet të pajiset me një certifikatë elektronike, që merret pranë AKSHI. Pa diskutim duhet të kenë dhe një lidhje interneti. Për tatim-paguesit që do të nisin fiskalizimin me kasë, proces që nis nga shtatori, do të ketë një sistem të caktuar. Kjo është lënë për shtator, në mënyrë që të gjithë të kenë kohë të mësohen me procesin.

Do të ketë kosto shtesë për biznesin? Sa do kushtojë kasa?
Tatim-paguesit nuk do të ndryshojnë kasën. Të gjithë tatim-paguesit që kanë një kasë aktuale vetëm do të përditësojnë sistemin e tyre. Kompanitë që do të kryejnë këtë shërbim janë certifikuar. Janë rreth 11 kompani që do të kryejnë fiskalizimin e kasave. Ndërsa për faturimin elektronik janë përgatitur 3-4 kompani. Procesi i fiskalizimit do të ketë një kosto, që fillon nga 50 euro dhe mund të shkojë edhe më shumë se kaq. Bizneset me xhiro deri në 14 milionë do të përdorin platforma me kosto jo të lartë. Ndërsa tatim-paguesit e mëdhenj do të kenë nevojë për sisteme më të sofistikuar. Sistemet do të certifikohen nga kompanitë përkatëse dhe do të lidhen me sistemin qendror të fiskalizimit. Kjo do të shoqërohet me një kosto, që fillon nga 50 euro, dhe do të jetë në varësi të biznesit.

A mund të shtyhet procesi i fiskalizimit?
Kërkesa për shtyrjen e procesit të fiskalizimit u iniciua nga një pjesë e biznesit, gjatë pandemisë. Për këtë arsye, në muajin korrik qeveria ndryshoi nisjen e procesit të fiskalizimit, që duhet të fillonte në shtator, por u spostua. Më 1 janar do të fillojë fiskalizimi për rreth 7 mijë biznese, vetëm për pjesën e transaksioneve që kanë me institucionet publike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb