Programi Botëror i Ushqimit, ka publikuar të dhëna shqetësuese, duke bërë me dije se më shumë se 345 milionë njerëz në mbarë botën po përballen me “nivele akute të pasigurisë ushqimore”. Një shifër e tillë vjen pasi lufta në Ukrainë po shkon në muajin e saj të pestë.

Lufta e vazhdueshme, e kombinuar me rritjen e çmimeve globale të karburantit dhe pasojat e pandemisë Covid, ka rritur ndjeshëm kërcënimin e afërt të urisë në të gjithë botën.

Pjesa më e madhe e eksporteve të grurit ukrainas përballen me rrezikun e kalbjes në magazina, pasi rusët vazhdojnë bllokimin e porteve të Ukrainës në Detin e Zi dhe ky grurë nuk mund të arrijë tek blerësit, duke shtuar mungesat në treg.

“Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar. Po përballemi me krizën e trefishtë: ushqim, karburant dhe plehra”, tha për BBC-së Matthew Hollingworth, Koordinatori i Emergjencave për Programin Botëror të Ushqimit (ËFP) në Ukrainë.

“Vitin e ardhshëm ne mund të kemi jo vetëm një problem të aksesit të ushqimit, por edhe një problem të disponueshmërisë së ushqimit, pasi vendet të cilat tashmë nuk mund të përballojnë të importojnë ushqime, luftojnë për të prodhuar të korrat e tyre pa plehrat e nevojshëm, eksporti i të cilave është gjithashtu i bllokuar nga Rusia.

Unë do të shpresoja që arsyeja e shëndoshë të mund të mbizotëronte dhe të pranohej se kostoja njerëzore e kësaj lufte shkon shumë përtej kufijve të Ukrainës. Duhet të ketë një mirëkuptim që globalisht bota nuk mund të përballojë uri të shumta në 2022 dhe 2023.

Kostoja njerëzore është shumë e madhe”, shton ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb