Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias deklaroi sot se është i bindur se marrëveshja preliminare për ndryshimin e emrit të Maqedonisë do të ratifikohet përkundër kundërshtimit që po hasë në të dyja shtetet, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të tij, Kotzias thotë se qytetarët e Maqedonisë në referendumin e 30 shtatorit do të përkrahin ndryshimin e emrit në “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Ai shtoi se pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese në Parlamentin e Maqedonisë, edhe deputetët grekë do të ratifikojnë marrëveshjen në fjalë, pavarësisht kundërshtimeve të pjesës më të madhe të opozitës.

Kotzias thotë se afati për rrumbullakimin e procesit do të shtyhet për një muaj, me gjasë për në fund të janarit.

Komentet e ministrit grek u bënë në Athinë, pas takimit me homologun e tij gjerman Heiko Maas.

Rikujtojmë se ratifikimi i marrëveshjes në fjalë, do të zgjidhë kontestin disadekadash mes dy vendeve, me çka Maqedonisë i hap rrugë për integrimet euroatlantike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: