Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka pezulluar hetimin disiplinor ndaj anëtarit të KPA Luan Daci, për shkelje disiplinore duke pritur kështu vendimin e Gjykatës së Lartë.

Sipas njoftimi zyrtar, Gjyqtari hetues i çështjes Ardian Hajdari, pasi kreu veprimet hetimore të domosdoshme në lidhjen me çështjen e gjyqtarit vendosi të pezullojë hetimin.

GJKKO vendosi dënimin e tij me 6 muaj burg dhe pezullimin për një vit pasi anëtari i KPA u konstatua të kishte kryer falsifikim të mosdeklarimit të një mase disiplinore në formularin e aplikimit për në institucionet e Vetingut.

Njoftimi:
Pas regjistrimit në regjistrin e Juridiksionit Disiplinor të çështjes (JD) nr.5/2021, datë 31.05.2021, me kërkues Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit dhe me objekt “Procedim disiplinor ndaj gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Luan Daci”, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, më datë 01.06.2021, u hodh shorti për caktimin e gjyqtarit hetues dhe më pas, për caktimin e Komisionit Disiplinor dhe kryesuesin e komisionit që do të shqyrtojë çështjen (JD) nr. 5/2021, datë 31.05.2021.

Pas hedhjes së shortit, gjyqtari hetues i kësaj çështjeje u caktua gjyqtar Ardian Hajdari, ndërsa kryesuese e Komisionit Disiplinor u caktua gjyqtarja Natasha Mulaj dhe anëtare, gjyqtaret Albana Shtylla dhe Ina Rama.

Gjyqtari hetues i çështjes Ardian Hajdari, pasi kreu veprimet hetimore të domosdoshme në lidhjen me çështjen (JD) nr.5/2021, datë 31.05.2021, bazuar në nenin 128, paragrafi 2, germa “b” e Kushtetutës; nenin C, pika 16 e Aneksit të Kushtetutës; nenet 5, pika 3, germa “a”, dhe 17 të ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë; nenin 1, pika 2 e ligjit nr.8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, nenin 297, germa “a” e Kodit të Procedurës Civile, vendosi:

Pezullimin e hetimit disiplinor ndaj anëtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, gjyqtarit Luan Daci, për shkelje disiplinore të parashikuar në nenin 128, pika 2, germa “b” e Kushtetutës, deri në dhënien e vendimit nga Gjykata e Lartë mbi ankimin e gjyqtarit Luan Daci, ndaj vendimit nr.5, datë 08.03.2021, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

2. Të njoftohet me këtë vendim gjyqtari nën hetim disiplinor Luan Daci, përfaqësuesit e ONM-së dhe Komisioni Disiplinor i ngritur pranë Kolegjit, për zhvillimin e procedimit disiplinor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb