Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka pezulluar nga detyra anëtarin Ardian Hajdari. Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se gjyqtari Hajdari është pezulluar me vendim të mbledhjes së gjyqtarëve.

Siç raporton gazetarja Lala, gjyqtari Ardian Hajdari është marrë i pandehur nga SPAK. Ardian Hajdari është anëtari i dytë i Kolegjit që pezullohet, pas Luan Dacit, i cili dhe u shkarkua pasi u deklarua fajtor me vendim të formës për falsifikim të formularit të aplikimit për një pozicion në institucionet e vetingut.

Më 24 qershor 2020, Daci dhe Hajdari u kallëzuan penalisht në Prokurorinë e Posaçme, SPAK me pretendimin se kishin gënjyer në aplikimet e tyre për t’u zgjedhur anëtarë të KPA-së përmes “falsifikimit të dokumenteve”. Kallëzimi penal u krye nga tre magjistratë të shkarkuar gjatë vetingut; nga ish-prokurorët Antoneta Sevdari dhe Elsion Sadiku si dhe ish-gjyqtari Ervin Metalla. Daci u akuzua se kishte fshehur shkarkimin nga detyra në vitin 1997 dhe se kishte deklaruar para komisionit Ad Hoc se ishte larguar nga sistemi i drejtësisë me dorëheqje, ndërsa Hajdari për deklaratën se kishte një eksperiencë 17 vjeçare si avokat.

Po ashtu, kallëzuesit pretendonin se dy anëtarët e KPA kishin konsumuar edhe elementët e veprave penale “fshehje e të ardhurave” dhe “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Ndërsa hetimi dhe gjykimi ndaj Dacit avancoi përmes një kallëzim tjetër të kryer më parë nga ish-prokurori Besnik Cani, procedimi ndaj Hajdarit mbeti i hapur në SPAK për afro dy vjet, pa emër të pandehuri të regjistruar.

Procesi disiplinor për Luan Dacin në KPA u inicua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, por u pezullua në korrik 2021 nga Ardian Hajdari në cilësinë e gjyqtarit hetues të çështjes, me argumentin se duhej të pritej edhe vendimarrja e Gjykatës së Lartë, pas kryerjes së rekursit nga i pandehuri.

Pasi Gjykata e Lartë e rrëzoi rekursin e Dacit duke lënë në fuqi vendimin e formës së prerë për dënimin e tij, Hajdari vendosi më 29 tetor 2021 rifillimin e hetimit disiplinor dhe më 9 dhjetor u vendos shkarkimi i tij për shkelje të rëndë disiplinore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb