KLGJ vendosi të pezullojë procedimin për dy gjyqtarët Bujar Musta dhe Ramazan Avdiu. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për BalkanWeb se pezullimi do të jetë deri sa të shprehet KPA për këta gjyqtarë.

Musta dhe Avdiu janë shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

VENDIMI
Mbi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor me masën “Ulje page deri në 40% për një periudhë deri në 1 vit“ për gjyqtarin B.M. dhe “Vërejtje publike“ për gjyqtarin R.A.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar hetimin disiplinor për zvarritje gjykimi mbi 2 vjet, ndaj gjyqtarëve I.M., B.M., Z.Sh., R.A., M. Ç. dhe Z.V., pranë ish-Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, në kohën e shkeljes së pretenduar, hetim ky i nisur nga ish Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në mars 2017, bazuar në informacionin e kryetarit të gjykatës Elbasan për muajin Dhjetor 2016, dosje e transferuar për trajtim pranë ILD-së në shkurt 2021.

Në kushtet kur ka rezultuar se kryesisht nuk ekzistojnë elementë të shkeljes disiplinore, hetimi disiplinor i nisur është mbyllur për magjistratët I.M., Z.Sh., M. Ç. dhe Z.V., gjyqtarë pranë ish Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, në kohën e shkeljes së pretenduar, ndërsa për gjyqtarët B.M. dhe R.A. është vendosur fillimi i procedimit disiplinor, respektivisht për çështjet gjyqësore civile që datojnë të regjistruara në gjykatë më 23.07.2009 dhe më datë 24.09.2014.

Procedimi disiplinor ndaj gjyqtarit B.M. lidhet me gjykimin e çështjes të regjistruar në vitin 2009, që i përket padisë së 19 paditësve me objekt lirim dhe dorëzim sendi. Vlen të theksohet, se kjo çështje civile është ende në proces gjyqësor në Gjykatën Elbasan, por nuk vijon nga gjyqtari B.M., i pezulluar nga detyra për shkak të shkarkimit nga KPK në shtator 2021, në pritje të vendimmarrjes finale nga KPA.

Nga hetimi disiplinor i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, rezulton se:
• Vonesat e gjyqtarit B.M., përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke sjellë si pasojë të drejtpërdrejtë zvarritjen e pajustifikuar të çështjes gjyqësore, (ende në proces), për një afat mbi 12 vite, 5 muaj e 19 dite, duke mos marrë masat e duhura me karakter procedural për përfundimin e kësaj çështje civile brenda një afati të arsyeshëm.

• Nga ana e gjyqtarit, nuk janë marrë masa, që seancat e planifikuara të ishin efektive dhe të mos dështonin për shkaqe të njoftimit të palëve, ashtu si dhe të merreshin masa ndaj palëve, të cilët mungonin pa arsye, ashtu dhe ndaj ekspertes. Vetëm në një rast nga ana e gjyqtarit është aplikuar e drejta e gjobës bazuar në nenin 167 të Kodit të Procedurës Civile. Nga 88 seanca të planifikuara, 51 prej tyre kanë rezultuar joproduktive, të shtyra që në fillim për shkak të mungesës së palëve, si pasojë e mos njoftimit të rregullt, të mosprezencës për shkaqe të arsyeshme apo jo të arsyeshme, të palëve apo të avokatëve të tyre. Ndërkohë që gjyqtari ka munguar në katër seanca të planifikuara, në tre prej tyre nuk del shkaku për të cilat ai ka munguar, pasi nuk janë pasqyruar në procesverbalin e shtyrjes së seancave, procesverbale të sigluara, edhe nga palët prezente.

• Nga hetimi i zhvilluar, nuk konstatohen shkaqe apo rrethana, që të justifikojnë këtë kohëzgjatje të gjykimit të gjyqtarit, duke konkluduar se veprimtaria e gjyqtarit në gjykimin e kësaj çështje të jetë kryer nga pakujdesia e rëndë në formë neglizhence, për sa kohë që nuk provohet që të jetë kryer me dashje, me qëllim krijimin e vonesave për palët, apo qëllime të tjera. Kjo ka cenuar rëndë besimin e publikut për pasjen e një drejtësie efektive, në lidhje me njohjen, mbrojtjen apo rivendosjen e të të drejtave të tyre subjektive.

Nga tërësia e hetimit disiplinor konkludohet se veprimet e mosveprimet e magjistratit përbëjnë “shkelje të rëndë disiplinore”. Inspektori i Lartë i Drejtësisë i kërkon Këshillit të Lartë Gjyqësor pranimin e propozimit për caktimin e masës disiplinore “ Ulje e pagës, deri në 40 për qind, për një periudhë jo më të gjatë se një vit”, për gjyqtarin B.M., për shkeljen disiplinore të parashikuar nga neni 102, pika 1 shkronja “d” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar.

Procedimi disiplinor ndaj gjyqtarit R.A. lidhet me çështjen gjyqësore të vitit 2014, ku paditësi H.SH. ka kërkuar ndryshimin e vendimit të vitit 1995, të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish Pronarëve të Rrethit Gramsh. Nga hetimi disiplinor rezulton se:

• Vonesat e gjyqtarit subjekt hetimi disiplinor, përbëjnë një mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke sjellë si pasojë të drejtpërdrejtë zvarritjen e pajustifikuar të çështjes gjyqësore, për një afat nga 5 vite, 4 muaj e 2 ditë, duke mos marrë masat e duhura me karakter procedural për përfundimin e çështjes civile, brenda një afati të arsyeshëm.

• Sjellja e gjyqtarit R.A., pas momentit të pezullimit të çështjes civile, ka ndikuar dukshëm në moskryerjen e veprimeve procedurale me karakter urdhërues që lidhen me verifikimin e rënies të shkakut të pezullimit dhe ajo që është më e rëndësishme ringritjes dhe rifillimit të shqyrtimit gjyqësor menjëherë pas rënies të shkakut të pezullimit në bazë të nenit 298 të K.Pr.Civile.

• Nga të dhënat e grumbulluara gjatë hetimit disiplinor, veprimtaria e gjyqtarit në gjykimin e kësaj çështje vlerësohet të jetë kryer nga pakujdesia në formë neglizhence, për sa kohë që nuk provohet që të jetë kryer me dashje, me qëllim krijimin e vonesave për palët, apo qëllime të tjera.

• Vonesa të tilla dëmtojnë të drejtën e subjekteve për një proces të rregullt gjyqësor, duke dëmtuar dukshëm imazhin e drejtësisë dhe besimin e publikut në të, për sa kohë tejkalimi i afateve logjike dhe normale, është thuajse i barabartë me mungesën e drejtësisë.

Nga hetimi disiplinor konkludohet se veprimet e ndërmarra nga ana e magjistratit R.A., hyjnë në kategorinë e “Shkeljes të lehtë disiplinore” dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë i kërkon Këshillit të Lartë Gjyqësor të pranojë propozimin për masën disiplinore “Vërejtje publike” për magjistratin.

Vërejtja publike përmbush dy qëllime parandaluese: parandalimin e posaçëm, në kuptimin që magjistrati në të ardhmen të mos kryejë më shkelje disiplinore; dhe parandalimin e përgjithshëm, në kuptimin që magjistratët e tjerë, kuptojnë që një sjellje e papërshtatshme nuk duhet kryer, pasi është e ndëshkueshme me masë disiplinore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb