Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Artur Gaxha është përballur sot në një seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Në bazë të verifikimeve të kryera dhe nga ILDKP, KPK theksoi se deklarimi është i saktë dhe se nuk ka fshehje pasurie dhe konflikt interesash. Ky fakt është bërë i ditur për ‘BalkanWeb’ nga gazetarja Klodiana Lala.

Gaxha e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995, ndërsa ka punuar për më shumë se një dekadë në Gjykatën e Tiranës dhe në vitin 2016 u emërua gjyqtar i Gjykatës së Apelit Tiranë.
Sipas ILDKP-së, rezulton se gjyqtari ka një apartament 124.8 m2 blerë 1 milion lekë në bashkëpronësi me bashkëshorten, legalizuar në vitin 2011. Si burim kësaj pasurie janë kursimet e viteve 1990-2004.
Subjekti ka deklaruar se apartamenti ka qenë me qira prej tij nga viti 1998.
Në 2004 kjo pasuri i është blerë babait të bashkëshortes së tij.

Nga hetimi i KPK rezultoi se në janar 1998 babai i bashkëshortes ka blerë apartament 110 m2 në vlerën 2 milionë lekë. Në kontratën e qirase të vitit 99 apartamenti figuron i regjistruar dhe i dhënë me qira tek Gaxha, të cilin ai e ka blerë tek vjehrri i tij. Nga deklaratat vjetore rezulton se ne deklarimin fillestar nuk përmendet ekzistenca e shtesës së pallatit. Sipas ILDKP-së, në deklaratën e vitit 2006 nuk është deklaruar aplikimi për legalizim, ndërkohë në 2011 nuk është deklaruar regjistrimi i saj në hipotekë.

Në lidhje me çmimin, për shkak të marrëdhënies baba-bije dhe faktit që kishin paguar qira për disa vite janë dakordësuar që vlera e shitjes të ishte 1 milion lekë.
Subjekti ka pasur burime të mjaftueshme.
– Apartament 180 m2në Tiranë, blerë në 2015 në vlerën 200 mijë euro. Si burim pasurie, 120 mijë euro kredi. 40 mijë euro nga shitja e apartamentit në Golem. 1.5 milionë lekë nga shitja e autoveturës dhe kursime.

Sipas KPK-së, në 2010 nuk është deklaruar burimi i shumës 60 mijë euro përdorur si këst i parë për banesën. Po sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, kontrata e sipërmarrjes me kompaninë ndërtuese është nënshkruar në 2010, ndërsa kontrata e shitblerjes në 2015. Mes të tjerash KPK thekson se u evidentua ndryshimi i planit të pagesave të pohuara në kontratën e sipërmarrjes.

“Kësti i pare 60 mikë euro më 5.10.2010; Kësti i dytë 120 mije euro në shkurt 2011; Kësti i tretë 20 mijë euro brenda 2011. Sipas deklarimit, burim shitja e apartamentit në Golem, makinës dhe kursime”, thuhet në raportin e KPK-së.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: