Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të premten vendimin e shkarkimit nga detyra të prokurorit të Vlorës Alfred Sali, të cilit gjatë seancës dëgjimore iu vunë në dukje probleme në kriterin e pasurisë.

Trupa e KPK që hetoi Salin e përbërë nga Xhensila Pine, kryesues, Olsi Komici relator dhe Valbona Sanxhaktari anëtare, arriti në përfundimin se Sali nuk kishte provuar të kundërtën e barrës së provës.

Gjatë seancës dëgjimore Salit iu kalua barrë prove mbi mosdeklarimin e mbajtjes Cash të një shumë prej 75 mijë eurosh që ai pretendonte se kishte fituar nga një kompani bastesh. Siç u relatua, Komisioni i kishte kaluar prokurorit barrë prove mbi dyshimet për “deklarim të rremë”, ndërsa përfshirja e tij në baste u cilësua si cënim i integritetit. KPK po ashtu vuri në dukje se Sali rezultoi me bilanc negativ sa i përket mundësisë për të dhënë një hua 58 mijë euro babait të tij me burim shumën e pretenduar të fituar nga bastet.

Prokurori Alfred Sali e kundërshtoi barrën e provës. Ai i tha KPK-së se kishte sjellë prova të mjaftueshme që tregonin fitimin e shumës dhe pagesën e detyrimeve për të. Sali tha në Komision se mosdeklarimi si gjendje cash ishte një keqkuptim i tij për formën e deklarimit. Ai pretendoi se ky aktivitet nuk ishte në kundërshtim me ligjin dhe as me kodin e etikës, por shtoi në një shkëmbim pyetje- përgjigje me Komicin se nëse kthehej pas në kohë nuk do ta përsëriste.

Alfred Sali përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe u emërua prokuror në Prokurorinë e Gjirokastrës. Prej vitit 2011, ai e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë./BIRN

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: