TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dha mandatin e Mark Frrokut, kandidates së radhës në listën shumëemërore të Partisë Kristian-Demokrate, Mirela Ferracaku. Mandati iu kalua Ferracakut 3 javë pasi Mark Frroku hoqi dorë nga mandati i deputetit.

Me anë të vendimit të KQZ “Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit kandidatit të listës shumëemërore të Partisë Kristian-Demokrate të Shqipërisë, në Qarkun Shkodër, për plotësimin e vakancës së njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë pas heqjes dorë nga mandati i deputetit të z. Mark Frroku”, Ferracaku bëhet deputetja më e re e kuvendit. 3 javë më parë deputeti Mark Frroku vendosi të heqë dorë nga mandati i tij nëpërmjet një kërkese drejtuar Kuvendit të Shqipërisë.

Në të njëjtën ditë Gjykata e Lartë zhvilloi një seancë gjyqësore, ku u informua nga Prokuroria e Përgjithshme lidhur me ecurinë e hetimeve ndaj Mark Frrokut. Prokurorët informuan se Frroku ishte marrë zyrtarisht i pandehur për akuzat e vrasjes me paramendim në bashkëpunim në dëm të Aleksandër Kurtit ndodhur në Belgjikë, fshehje pasurie, pastrim të produkteve të veprës penale, si dhe ndërtimit të paligjshëm. Sipas prokurorisë dosja është e gatshme për tu dorëzuar për gjykim. Në seancë nuk ishte i pranishëm Mark Frroku, i cili tashmë për shkak të dorëzimit të mandatit të deputetit do të gjykohet nga gjykata e Shkallës së Parë.

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: