TIRANE- KQZ ka shqyrtuar sot kërkesën e koalicionit të djathtë, Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet për çregjistrimin e kandidatit për kryetar të Bashkisë Këlcyrë, Gentian Muhameti, vendim ky që ka të bëjë me pastërtinë e figurës së tij.

Pak ditë më parë Partia Demokratike vendosi të tërheqë nga gara elektorale e 21 qershorit kandidatin e saj për Këlcyrën, Gentian Muhameti, për shkak të dyshimeve për të kaluarën e tij. Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë ndarë mendime të ndryshme në lidhje me këtë kërkesë. Të majtët kanë kërkuar dokumente që të tregojnë arsyen e kërkesës për çregjistrim duke qenë se ligji nuk i parashikon këto raste. Të djathtët kanë qenë pro çregjistrimit, duke e quajtur një akt në favor të një çështjeje madhore siç është dekriminalizimi, por kanë ndarë të njëjtin mendim për boshllëkun ligjor në lidhje me këto raste. Vetë përfaqësuesi ligjor i kandidatit Gentian Muhameti ka deklaruar se ndaj tij nuk ka vendim gjykate të formës së prerë dhe theksoi se kërkesa e PD-së është e pabazuar në ligj dhe prova. Në përfundim, me propozim të Denar Bibës, KQZ me 4 vota pro që ti drejtohet me një shkresë të gjitha institucioneve kompetente për të marrë informacion më të thellë dhe më të saktë për kandidatin Muhameti, duke e lënë ende në garë atë.

Gëzim Veleshnja: Doja të dija se çfarë ka bërë kandidati që ju e larguat. Ka ndonjë dokument…
Ivi Kaso: Standardi i koalicionit është ose paraqitje e pastërtisë së figurës, ose nëse nuk pranon dhe miraton ky kandidat që të provojë pastërtinë e figurës, koalicioni tërhiqet. E djathta kërkoi pastrimin e politikës nga inkriminimi.
Përfaqësuesi i kandidatit Muhameti: PD të verifikonte më parë. Kërkesa e PD-së cenon të drejtat e tij. Ndaj kandidatit nuk ka vendim të formës së prerë. Nuk jemi vënë në dijeni të animimit. PD s’ka dhënë shkak ligjor për çregjistrimin e kandidatit. Kërkesa e pabazuar në ligj dhe prova. PD e ka bërë verifikimin si e kërkon ligji.
Denar Biba: Ndoshta duhet të thellojmë pak hetimin në lidhje me aktin dhe elementë të tjerë që lidhen me çështjen.
Hysen Osmanaj: Nuk ka praktikë për këtë çështje. Është një rast i veçantë. Shkak i kësaj është një shqetësim i madh për dekriminalizimin. Kjo është shumë shqetësuese por ne në këtë tryezë e kemi të vështirë për tu shprehur se nuk është e rregulluar me ligj. Por kandidati ose duhet të mbështetet nga zgjedhësit ose nga subjekti që e kandidon, këto janë dy format.
Vera Shtjefni: Rrethanat kanë ndikuar që të krijohet ky vullnet për tërheqjen e kandidatit. Është një çështje e veçantë, specifike, por çështja e dekriminalizimit nuk është e padëgjuar. Ndoshta edhe ne jemi të ftuar që të bëjmë pjesën tonë për këtë çështje. Ka një rezolutë, jo akt ligjor të parlamentit. Duke marrë parasysh synimin madhor jam për ta pranuar kërkesën e subjektit APPD që kërkon ta tërheqë nga zgjedhjet kandidatin.
Denar Biba: Subjekte zgjedhore janë koalicionet, partitë politike dhe kandidatët e mbështetur nga zgjedhësit. Ky është i regjistruar, është subjekt. Ky merr të drejta.
Luzi: Do mbështesja zotin Veleshnja. Unë do propozoja që këtë certifikatë si të APPD dhe atë të paraqitur nga kandidati t’ia çojmë për verifikim institucioneve përkatëse dhe më pas të mblidhemi të shqyrtojmë kërkesën.
Gjonçaj: Dhënie e përgjigjes duhet të jetë sa më e shpejtë.
Vendimi i PD-së për të çregjistruar kandidatin e Këlcyrës u përshëndet dhe nga Ambasada Amerikane si lëvizje për pastrimin e politikës në Shqipëri. Gjatë ditës së djeshme ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu gjatë një takimi me trupën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka nxitur institucionin qendror zgjedhor që t’i përgjigjet sfidës së dekriminalizimit të politikës shqiptare dhe të të zgjedhurve të saj duke vijuar me çregjistrimin e çdo kandidati të identifikuar si i inkriminuar dhe që vjen si kërkesë e partive politike.
Denar Biba: Është e disata ditë që Komisioni po gjendet në situata të paprecedenta. Kjo nuk është situatë e këndshme. Nëse çështjet vijnë këtu, do të marrin zgjidhje. Komisioni do ti marrë përsipër detyrimet e veta do të ishte shumë mirë që KQZ të mos vihej në këto pozita dhe partitë ti kishin verifikuar kandidatët më herët.
Osmanaj: Pa diskutim që jemi në një vakum ligjor. E  kuptoj që të gjithë jemi para një zgjidhjeje që nuk e kemi të formuluar në kodin zgjedhor, por duke parë që ky kandidat është regjistruar me vullnetin e kësaj force politike, pavarësisht se tashmë është kthyer në një subjekt zgjedhor dhe që tashmë nuk është më ky vullnet unë jam i mendimit të bëjmë verifikimin dhe pastaj ta hedhim në votë.
Përfaqësuesi ligjor i Muhametit: Shpreh gatishmërinë e kandidatit për tu verifikuar. Por jemi në një shtet ligjor dhe nuk mund të diskriminojmë një kandidat për disa aludime. Është e vërtetë që PD ka tërhequr vullnetin por jashtë afateve.
Denar Biba: Propozim i ndërmjetëm edhe për të mos cenuar kandidatin dhe për të ruajtur procesin zgjedhor, kryetare propozoj që ti drejtohemi institucioneve kompetente për të marrë informacion më të thellë për kandidatin.

 

(m.k/a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: