Nga: Darina Tanushi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shtyu për të dytën herë, vendimin për ndarjen e mandateve zgjedhore për Kuvendin 2017-2021. Me 6 vota pro dhe 1 votë kundër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e la që këtë vendim ta marrë më datë 3 dhjetor, me kërkesë të Partisë Demokratike. Përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Ivi Kaso, tha se materiali i kërkuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, në funksion
të këtij akti, është shumë voluminoz dhe për këtë ai kërkoi më shumë kohë në shqyrtimin e tij. “Ky material duhej të ishte vënë në dispozicion që para dy javësh.

Ka paraqitur të dhënat, të cilat ne kërkojmë kohë që t’i pasi vendimmarrja e sotme është shumë e rëndësishme, ka të bëjë direkt me rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme të 2017-ës”, – tha Kaso. Por,
kundër kësaj u shpreh përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj, i cili tha se opozita e ka marrë materialin që të premten dhe ka pasur kohën e mjaftueshme për ta shqyrtuar.

“Ne gjykojmë që, sipas leximit të thjeshtë të Kodit, sot është afati i fundit, llogaritur me ditën e mbërritjes së informacionit pranë KQZ-së”, – tha Gjonçaj. Dy mbledhjet e fundit të Komisionit janë
dominuar nga debati, i cili është zhvilluar edhe në 2012-ën, për numrin e zgjedhësve në zonat zgjedhore. Ndërsa ditën e premte ky institucion do të mblidhet për të diskutuar dhe vendosur për materialet e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017. “Mos na kërkoni shtyrje të mëtejshme, pasi nuk vazhdon pafundësisht kjo histori”, – u shpreh kryetari i Komisionit, Denar Biba, në mbyllje të mbledhjes. Sot pritet që KQZ-ja të zgjedhë edhe nënkryetarin e saj, pas dorëheqjes së Denar Bibës.

ANALIZA
Tri qarqe të vendit pritet të humbasin nga procesi i ndarjes së numrit të deputetëve sipas qarqeve. Në
një analizë që bën “BIRN”, thuhet se, “sipas nenit 75 të Kodit Zgjedhor, të dhënat e popullsisë sipas regjistrit civil duhet të shërbejnë për të llogaritur numrin e popullsisë për çdo deputet si dhe
për të ndarë numrin e deputetëve nëpër qarqe në përputhje me popullsinë e secilit qark”. “Aktualisht, Shqipëria ka 4.4 milionë njerëz në regjistrin civil, ndonëse një pjesë e madhe e tyre jetojnë realisht në emigrim, sipas të dhënave të siguruara nga ‘BIRN’ përmes një kërkese për të drejtë informimi te Ministria e Brendshme (të dhënat i përkasin 1 janarit 2016). Sipas Kodit të zgjedhjeve, fillimisht KQZ-ja duhet të pjesëtojë shifrën prej 4.4 milionë banorësh me numrin e deputetëve 140 për të përcaktuar numrin mesatar të popullsisë për deputet, që në rastin konkret është 31 mijë”. Pas kësaj, popullsia
e secilit qark duhet të pjesëtohet me 31 mijë për të nxjerrë se sa deputetë duhet të përcaktohen në çdo qark.

“Për pjesëtimet që dalin me presje dhjetore, deputetin e merr qarku që ka shifrën më të përafërt me numrin e plotë”, thuhet në analizë. Në bazë të të dhënave të gjendjes civile, zbatimi i nenit 75 të
Kodit Zgjedhor përmes llogaritjes së numrit të deputetëve për qark sugjeron se Korça, Berati dhe Kukësi
do të humbasin nga një deputet, ndërsa Tirana do të fitojë dy deputetë dhe Durrësi do të fitojë një deputet. Në vitin 2013, një vendim i ngjashëm nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve parashikonte uljen e numrit të deputetëve për qarqet Berat dhe Korçë si dhe shtimin e deputetëve në Tiranë dhe Durrës. Partia Socialiste, në atë kohë në opozitë, e kundërshtoi me argumentimin se në qarkun e Kukësit, ku numri i deputetëve nuk u ul, qe shënuar një rritje e pazakontë e regjistrimeve të reja të popullsisë
banuese në regjistrin civil. Në vendimin final, KQZ-ja u nda në votim sipas përkatësisë partiake të
anëtarëve dhe vendimi për ndarjen e mandateve nuk mori fuqi. Sipas Kodit Zgjedhor, vendimi për ndarjen e mandateve sipas qarqeve duhet të marrë pesë vota nga shtatë anëtarët e KQZ-së. Në mungesë të vendimit nga ana e KQZ-së, Kuvendi i Shqipërisë vendosi të lërë të pandryshuar numrin e mandateve, siç qe caktuar për zgjedhjet e vitit 2009.

hhh
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: