Kreu i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, Arben Kraja i është përgjigjur sot pyetjeve të deputetëve në Këshillin e Integrimit.

Kraja në fjalën e tij ka theksuar se të gjithë kanë shqetësim për të rregulluar situatën e krijuar nga krimi në vend dhe SPAK sipas tij është angazhuar maksimalisht për të rritur luftën ndaj kriminalitetit.

Kraja shtoi se ka një nivel të lartë bashkëpunimi me strukturat e tjera ligjzbatuese në vend dhe ndarje të informacioneve të vlefshme.

“Kemi vendosur kontakte dhe kemi bashkëpunim shumë të mirë me të gjitha strukturat e larta të shtetit. Shkëmbejmë informacione. Në bashkëpunim me KLSH kemi ndjekur të gjitha çështjet që lidhen me fenomenet e fondeve publike, nga ku kërkojmë informacion nga KLSH. Kemi pika kontakti të përbashkëta”, tha Kraja.

I pyetur nga deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj nëse struktura që ai drejton ka qenë e mbingarkuar apo jo nga operacioni i OFL-së në vitin 2020, Kraja ka nënvizuar se ka pasur mbingarkesë.

“OFL ka qenë një mbingarkesë pune dhe ka pasur shumë problematika. Ne si prokurori kemi qenë kundër. Ka pasur mbingarkesë për arsye të afateve shumë precize që kishte për tu zbatuar. Në kushte të tilla ne na u desh ti bënim prioritet. Kanë qene 251 raste të referuara nga policia dhe vazhdon hetimi për disa raste që janë kërkesë për konfiskim”, shtoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: