KOSOVE-Kryetari i Këshillit të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi ka shkruar në profilin e tij për Asociacionin e komunave serbe. Ai ka theksuar se ata që e votojnë asociacionin e shkelin betimin e dhënë dhe bëjnë tradhti ndaj vendit e kombit.
“Kuvendi i Kosovës, si institucioni më i lartë i vendit, nëse dëshiron të jetë e të mbetet në rolin e institucionit përfaqësues, duhet që t’i thotë me Jo të madhe çdo varianti tjetër të asociacionit veç atij që e ka dhe për të cilin e ka Statutin e tij. Përndryshe deputetët shkelin betimin e dhënë dhe bëjnë tradhti ndaj vendit e kombit. Nëse tanimë miu nuk e ka bërë udhën e tij”, ka shkruar ndër të tjera Krasniqi.

Postimi i plotë i Krasniqit:
A ËSHTË E VËRTETË SE BRUKSELI PO E KËRKON ASOCIACIONIN?
Athua është e vërtetë se Brukseli po e kërkon Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë? Epo, mirë, vetëm duhet saktësuar cilin asociacion? 1. Atë që thuhet në Kartën Evropiane për decentralizim; 2. Atë që është nënvizuar në Dokumentin e Ahtisarit e Kushtetutën e Kosovës, apo 3. Atë që është arritur në Bruksel në Marrëveshjet e Thaçit e të Mustafës?
Asociacioni i këtyre të fundit është antikushtetues. Varianti i tri dokumenteve të theksuara në fillim është në përdorim në Kosovë dhe ai variant pse të mos ju shërbejë edhe komunave me shumicë serbe në Kosovë?
Nëse duhet të jetë diçka ndryshe nga asociacioni i Kartës Evropiane, i Dokumentit të Ahtisarit dhe i Kushtetutës sonë, ai nuk mund të jetë asociacion, prandaj thuajeni emrin e vërtetë të tij. Lërini përrallat, si ju në Bruksel si ju “krerët” e Kosovës!

Për këtë çështje kam shkruar e reaguar gjerë e gjatë, tani nuk do të zgjatem, pasi këtë çështje e trajtoj edhe në librin “Arti i bisedimeve”, që pritet të promovohet më 29 mars 2018, por, ajo që dua të them tani është kjo:
Kuvendi i Kosovës, si institucioni më i lartë i vendit, nëse dëshiron të jetë e të mbetet në rolin e institucionit përfaqësues, duhet që t’i thotë me Jo të madhe çdo varianti tjetër të asociacionit veç atij që e ka dhe për të cilin e ka Statutin e tij. Përndryshe deputetët shkelin betimin e dhënë dhe bëjnë tradhti ndaj vendit e kombit. Nëse tanimë miu nuk e ka bërë udhën e tij!
Shkurt, asociacioni i Marrëveshjeve të Brukselit as nuk ishte e as nuk është asociacion, meqenëse secili njeri normal do të duhej ta dinte se po të ishte fjala për asociacion, për të cilin flasin të gjitha dokumentet e apostrofuara më lart, pse duhej të ishte pjesë e bisedimeve në mes të Kosovës e të Serbisë në Bruksel, duke krijuar njëkohësisht konfuzion por edhe derivuar detyrime që do t’i kushtojnë Kosovës. Kujdes!!!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: