Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh deputeti, Memli Krasniqi ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për veprimet e fundit të ndërmarra në veri të vendit. Krasniqi gjatë fjalës së tij në seancën e Kuvendit të Kosovës deklaroi se Kurti ka shtruar rrugën për autonomi politike për serbët në pjesën veriore të vendit.

Sipas tij, veprimet e Kurtit e kanë sjellë Kosovën në një krizë duke e kthyer vendin mbrapa. “Përgjigja e tij ka me qenë tërheqja. Ai çdo veprim e ka të tillë. E krijon krizën, pastaj tërhiqet dhe na e lë problemin dhe na e degradon situatën për nja pesë hapa prapa. Kjo është shtrim për autonomi politike për serbët. Nuk ka të bëjë më me asociacionin”, u shpreh Krasniqi.

Krasniqi tha se kjo s’është kriza e parë e krijuar nga kryeministri i vendit, Kurti. “Ne po jetojmë nga kriza në krizë. Në raport me partnerët kryesorë të Kosovës, ne kemi vetëm telashe. Vetëm kriza. Që nga viti i kaluar. Nuk funksionon aleanca kështu. Nuk funksionon një shtet i pavarur që dëshiron me pas një perspektivë euro-atlantike. Sepse, rrezikohet kjo perspektivë. Sanksionet ndaj Kosovës janë shqetësim për çdo qytetar. Nuk jemi më sovran kur na përjashton NATO nga ushtrimet ushtarake të saj. Nuk mund të reduktohet sovraniteti prej një njeriu i cili insiston të hyjë në tri zyre të caktuara”, theksoi Krasniqi.

Ai po ashtu iu drejtua Kurtit duke i thënë se Mitrovicën nuk e njeh dhe se atje ka shkuar gjithmonë me njësi speciale. “Hajde po shkojmë bashkë. Pse po insiston tek tre njerëz që janë pjesë e popullit më të vuajtur. Mos ju bë presion këtyre tre njerëzve. Hajde shkojmë bashkë e hyjmë në zyrë e rrimë aty”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb