Derbi ka gjithçka. Ai nuk mund të kuptohet pa polemika, kontenstim të gjyqtarit, tifozët, sfida brenda e jashtë stadiumit por edhe të tjera. Ngacmimet i pari i ka nisur mbrojtësi i Partizanit, Gëzim Krasniqi në daljen për shtyp që klubi organizoi ditën e sotme. Ndeshjen kundër Tiranës që do të zhvillohet në “Selman Stërmasi” të enjten e cilëson si një sfidë të zakonshme, madje e shikon si takimin e radhës ku duhet marrë me patjetër tre pikëshi.

Deklarata e plotë e Krasniqit

“Përveç tifozëve, sigurisht edhe ne vetë si lojtarë presim fitore , barazimet e regjistruar në këto 12-të javë na kanë penalizuar disi në objektivin tonë , por shpresojmë që këtë javë të dalim me kokën lart duke regjistruar një fitore. Sigurisht shpresojmë që këtë herë edhe fati të jetë në anën tone, pasi në përballjen e fazës së parë edhe pse kemi krijuar mjaft raste nuk arritëm të shënonim ndaj Tiranës.

Tashmë ne si skuadër kemi krijuar fizionominë tonë të lojës dhe shpresoj që në këtë përballje të jemi më konkret . Nuk kemi aspak presion dhe ndaj Tiranës e konsiderojmë ndeshje të radhës , çdo takim ka vlerën e 3 pikëve dhe ne do të kërkojmë fitoren siç edhe e arritëm ndaj Teutës javën e kaluar, fitore e cila ka ndikuar pozitivisht në anën psikologjike të ekipit.

Fakti që do të luajmë në “Selman Stërmasi” nuk përbën aspak problem pasi tashmë jemi mësuar të luajmë jasht çdo javë , për ne kjo përballje konsiderohet një ndeshje në shtëpi pasi luajmë në kryeqytet. Ndaj Teutës nuk u aktivizova për shkak të një problemi shëndetësor , por tani jam i gatshëm në dispozicion të skuadrës.

Nëse ne luajmë në grup dhe të bashkuar mendoj se ia dalim ndaj çdo kundërshtari që kemi përballë. Objektivi ynë që në fillim të sezonit është i qartë fitimi i Titullit Kampion , mendoj se ky është vitit i duhur për ta sjellë këtë trofe në kryeqytet.”

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: