PRISHTINE- Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi deklaroi se presidenti Hashim Thaçi nuk duhet të arsyetojë themelimin e Gjykatës Speciale dhe të fajësojë ndërkombëtarët për këtë.

Në një postim në faqen e tij të ‘Facebook’-ut ka thënë se ka shumë që mos të krijohet Gjykata Speciale dhe se tashmë është koha që Kosova të fillojë t’i shoh frytet e saj.

MESAZHI I KRASNIQIT
Pa dashur të paragjykoj asgjë, por e vërteta është se tri veprime të dëmshme politike që i janë bërë vendit kanë qenë e janë veprime të dëmshme të Kryetarit të shtetit, zotit Hashim Thaçi. Për të qenë korrekt Thaçi me opinionin publik, ai nuk duhet të arsyetojë në një anë themelimin e Gjykatës Speciale e në anën tjetër t’i fajësojë të tjerët (ndërkombëtarët) për ketë Gjykatë. Gjykatë për të cilën i ka pasur njëqind e një arsye që mos ta formojë, sidomos e kishte ketë mundësi pasi prokurori Ëiliamson deklaroi se: “mungonin dëshmi për trafikim të organeve”, Mbi bazën e se cilës akuzë ishte ngritur, fillimisht raporti i Dic Martit i cili më vonë nga KE u shndërrua në Rezolutë. Por, ai jo vetëm nuk bëri asnjë përpjekje, veçse përkundrazi ai e ka shtyrë fortë formimin e saj. Tani është koha që Kosova të fillojë t’i shoh frytet e saja më shumë se të hidhura për të ardhmen e Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Kjo që e paska thënë sot, më 9 tetor 2017 se: “Vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale erdhi si nevojë politike ndërkombëtare sesa për drejtësi. Pranimi ynë erdhi me arsyetimin se duhet të kënaq akteret tjerë që kjo çështje të mos delegohet tek Kombet e Bashkuara”. Në ketë që e thotë Kryetari kemi dy pasaktësi të mëdha. E para, Gjykatat Speciale do të duhej të formohej për të verë drejtësinë në vend, e jo për të plotësuar nevoja politike të askujt, as të ndërkombëtarëve. Kurse kjo e dyta që thoni për Kombet e Bashkuara është goxha bllof, pasi ato për krimet e kryera në ish Jugosllavi e kishin Tribunalin e Hagës dhe GJS nuk do të mund të bëhej pa kërkesën e Kosovës.

Siç dihet, nuk është ky gabimi i vetëm i Thaçit kur ai ishte Kryeministër në mandatin e dytë! Ai Kosovës dhe qytetarëve të saj ua ka bërë edhe dy dëme të mëdha, vështirë të riparueshëm, siç janë: Marrëveshja e 13 prillit 2013 e arritur në Bruksel në mes të Kosovës e Serbisë me ndërmjetësimin e Brukselit dhe Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, të cilat marrëveshje Kosovës dhe qytetarëve të saj i kanë mbetur si “zorrë neper këmbë” edhe sot e kësaj dite. Thaçi, nuk duhet të fshehët pas akuzave që ua bënë të tjerëve për asnjërin nga këto tri çështje. Ai opinionit publik të Kosovës ia ka borxh që t’ua tregoi arsyet e vërteta, të këtyre dëmeve të mëdha që i ka bërë shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ketë nuk e ka bërë asnjëherë deri me sot. Krejt në fund, u ndala në këto tri dëme të mëdha, dëme që do t’ju kushtojnë gjeneratave të tëra, se dëmet në qeverisjen e vendit janë aq të mëdha sa qe nuk ka qytetar i vendit që nuk po i sheh e nuk jeton me to përditë. E sidomos i ka goditur rëndë gjeneratën e re e cila perspektiven e vet po e kërkon jashtë Atdheut!
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: