“Në kohën e sotme vendosja e tarifave të tilla si ato të Kosovës ndaj Serbisë dhe Bosnjes nuk janë të këshillueshme, madje kancelaritë kryesore ndërkombëtare e kanë kritikuar. Por deri diku Kosova e përdori këtë lloj mase për tu dëgjuar në Bruksel, në Berlin, në Washington për shkak të vendimarrjes së Bashkimit Europian në raport me Kosoven”.  Ky opinion erdhi nga politologu Afrim Krasniqi për emisionin Diplomaticus që drejtohet nga gazetari Erion Kaçorri. Sipas Krasniqit, tarifa 100 përqind e Kosovës ndaj mallrave Serbe dhe Boshnjake, është më shumë një akt diplomatik dhe politik sesa llogjikë ekonomike.

“Nëse i kthehemi ngjarjeve të një viti më parë u tha se nëse bëhej marrëveshje për kufirin me Malin e Zi në mënyre automatike Kosova do të përfitonte liberalizimin e vizave. Marrëveshja është bërë, por qytetarët e Kosovës ende nuk mund të lëvizin të lirë. Nëse i kthehemi edhe marrëveshjes për Interpolin, do të duhej që Serbia në mënyrë automatike të heqë dorë nga bllokimi që i bën Kosovës në organizmat ndërkombëtare duke respektuar procesin e Berlinit dhe marrëveshjet e Brukselit. Kosova u ndje e margjinalizuar dhe e përdori këtë lloj mase. Në aspektin afatgjatë me siguri nuk do të jetë funksionale”.

Kosova nuk e ka luksin për të ecur paralelisht me disa konflikte të ndryshme shprehet Krasniqi per News 24.  “Kjo lloj mase pati simboliken e vet dhe do të vijë një ditë shpejt kur është e detyruar për tu rishikuar. Zoti Haradinaj e përdori këtë si masë politike, i funksionoi deri diku, por gjithmonë duhet të jemi të kujdesshëm që fjala e fundit të mos thuhet e para në politikë” thekson ai për Diplomaticus.

I pyetur se çfarë roli mund të luajë Shqipëria për t’ia lehtësuar këtë barrë Kosovës, Krasniqi shprehet se ajo çfarë Shqipëria ka në dorë për të bërë dhe nuk e ka bërë është se në hierarkinë e shtetit nuk kemi asnjë zyrë të vetme që merret me Kosovën dhe problematikën e Kosovës. Siç në Kosovë nuk ka asnjë zyrë dhe asnjë staf përgjegjës për problematikat e Shqipërisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb