Një ditë pasi qeveria shqiptare siguroi 1.15 miliard euro nga Konferenca e Donatorëve, ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj deklaroi se 300 milionë euro janë dhurim nga donatorët dhe pjesa tjetër është kredi e butë. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24 Ahmetaj tha se kreditë e buta janë marrë me një interes nën 2.25% dhe me kosto operacionale të ulët si dhe me një afat shlyerje prej 20-25 vitesh. Mes të tjerash ministri për Rindërtim theksoi se qeveria ka gati dhe një plan Marshall, detajet e të cilit do të bëhen publike nga kryeministri Edi Rama.

“Rreth 300 milion euro është grant, është dhurim. Dhe pjesa tjetër është kredi nga institucione të ndryshme financiare. Janë kredi të buta që do të thotë që janë nën 2.25 %. Janë me kosto të ulët, me maturitet të gjatë, që shkojnë deri në 20-25 vjet. Situata e parë është granti. Donatorët kanë dhënë rreth 30% të nevojave. Nuk ka ndodhur, është e paprecedent. Pjesa e kredive, kam qenë që në 92-in në ministri, që ende paguajmë kredinë tani. Ju garantoj se kuadri dhe situata marko-ekonomike është e konsoliduar dhe e shëndetshme, jemi para një Plani Marshall.

Ne do t’i absorbojmë këto para në kuadri të një Plani Marshall. Detajet do doja që t’i vendoste ai që e ka nisur këtë plan Marshall, kryeministri. Është hapur një faqe e re në historinë Shqipërisë, ekonomikisht dhe politikisht. Ne kemi marrë goditje, që së bashku me humbjet shkon në 7.5 % të prodhimit të brendshëm Bruto. E më pas jetët e humbura, është tragjike për një vend. Një gjë duhet ta themi, gjetëm forcën për ta përballuar e për t’u ringritur. Dhe komenti i kryetarit të opozitës dje ishte dinjitoz. Një politikan normal nxjerr në Twitter një mesazh që mbështet kryeministrin e vendit, në një ditë të veçantë. Procesi i rindërtimit do të jetë shembull në çdo aspekt. Donatorët janë të huaj, do të jenë të gjithë aty. Donatorët kanë të drejtën që në çdo rast të auditojnë projektet ose në tërësi të gjithë programin. E kemi detyrim me ligj.

Mes të tjerash ministri theksoi se puna në terren, për rindërtimin e dëmeve ka filluar. “Ne kemi filluar punën. Madje sot kisha Komisionin Shtetëror të Rindërtimit për kalimin e një zone, zona 26 që është në Durrës, afër universitetit. Është një zonë që do marri zhvillim. Ne kemi 26 zona. Po bëjmë planet dhe të shkollave.”, tha ai.

Sa i përket afateve, ministri sqaroi se duhen disa ditë për kolaudimin e shifrave e më pas fillohet puna. Ahmetaj theksoi se brenda 2020 do kemi 100% të shtëpive individuale të bëra.

“Donatorin më të madh kemi Komisionin 115 mln euro, pra me një marrëveshje qeveritare. Duhen 2-3 ditë për kolaudimin e shifrave dhe menjëherë fillojmë punën. Ndërkohë ka filluar procesi i shpronësimit në shumë zona. në dt 26-27 shkurt janë dy plane që materializohen dhe kalojmë në fazën tjetër. Në prill, fundi i prillit do kemi njësi individuale dhe qendra të urbanizuara rurale që do të fillojnë punën. Në qershor do kemi punë në qendrat masive urbane. Asnjë nga ata që kanë humbur shtëpinë nuk do të jetë i pastrehë. Ka një plan për përfundimin, afatgjatë për 5 vjet, ne mendojmë që brenda dy vitesh. Brenda 2020 do kemi 100% të shtëpive individuale të bëra”, -u shpreh Ahmetaj.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: