Kremlini i hodhi poshtë pretendimet se Rusia mund të qëndrojë prapa helmimit të një gruaje britanike, e cila ka vdekur pasi i është ekspozuar agjentit nervor Noviçok.

Autoritetet britanike kërkuan llogari nga Rusia pasi Dawn Sturgess dhe Charlie Rowley u helmuan fundjavën e kaluar në qytetin Ejmsbëri, me të njëjtin agjent që është helmuar edhe një ish-agjent rus dhe vajza e tij, në muajin mars.

Sturgess, 44 vjeçe, vdiq të dielën, ndërsa Rowley mbetet në gjendje kritike për jetën.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ideja se Rusia qëndron prapa helmimit të tyre është “absurde”, raporton rel.

Ai tha se Rusia “është thellësisht e shqetësuar për praninë e vazhdueshme të këtyre substancave helmuese në territorin britanik” dhe se ato “paraqesin rrezik jo vetëm për britanikët, por edhe evropianët e tjerë”.

Noviçok është një agjent nervash, i cili është zhvilluar nga ushtria sovjetike gjatë Luftës së Ftohtë.
Kremlini e ka mohuar edhe përfshirjen në helmimin e ish-agjentit rus, Sergei Skripal, dhe vajzës së tij, Yulia, më 4 mars në qytetin Sallsbëri të Anglisë. Rasti, megjithatë, ka shkaktuar krizë diplomatike midis Moskës dhe Perëndimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb