MOSKË

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se takimi mes presidentit të Rusisë Vladimir Putin dhe kryeministrit britanik Boris Johnson në margjinat e Konferencës së Berlinit për Libinë ishte “i shkurtër por konstruktiv”.

Peskov u tha përfaqësuesve të mediave në Moskë se karakteri i takimit ishte i ndryshëm nga jo që njoftoi Zyra e kryeministrit britanik pas takimit.

“Në përgjithësi, kontakti ishte i shkurtër, por në të njëjtën kohë, le të themi, mjaft konstruktiv, me elementë të një qëndrimi pajtues. Me sa duket, fryma e kontaktit është qartë e ndryshme nga thelbi i mesazhit të Downing Street”, tha ai.

Duke komentuar takimin Putin-Johnson në Berlin, Downing Street kishte thënë se kryeministri britanik “ishte i qartë se nuk kishte pasur ndonjë ndryshim në qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar për Salisbury-n”, që ai e karakterizoi si “një përdorim të pamatur të armëve kimike dhe një përpjekje të pacipë për të vrarë njerëz të pafajshëm në tokën e Mbretërisë së Bashkuar” dhe paralajmëruan të mos përsëritet një sulm i tillë.

“Kryeministri tha se ata të dy kishin një përgjegjësi për të adresuar çështjet e sigurisë ndërkombëtare, përfshirë Libinë, Sirinë, Irakun dhe Iranin. Kryeministri tha se nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve tona dypalëshe derisa Rusia të përfundojë aktivitetin destabilizues që kërcënon Britaninë e Madhe dhe aleatët tanë dhe dobëson sigurinë e qytetarëve tanë dhe sigurinë tonë kolektive”, qëndron në deklaratë.

Në mars të vitit 2018, ish-spiuni rus Sergei Skripal dhe vajza e tij u helmuan në qytetin jugor të Salisbury në Mbretërinë e Bashkuar me një agjent nervor.

Përfundimisht, të dy u shëruan dhe u larguan nga spitali dhe që atëherë janë fshehur. Londra fajësoi Moskën për sulmin kimik i cili kishte shkaktuar një dënim global.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb