TIRANE- Forcat e Armatosura festuan të hënën 15-vjetorin e themelimit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, e cila organizon dhe drejton përgatitjen, arsimimin dhe kualifikimin e vazhdueshëm të oficerëve, nënoficerëve dhe civilëve në FA.

E pranishme në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli theksoi rëndësinë që ky institucion ka për FA, ndersa falenderoi punonjësit e arsimimit ushtarak ndër vite, që edukuan breza të tërë ushtarakësh, për të qenë pjesëtarë të denjë të ushtrisë shqiptare.

Megjithatë ky përvjetor i krijimit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes e gjen këtë institucion përballë sfidave të reja, të cilat ministrja Kodheli u kujdes t’i sillte në vëmendjen e të pranishmëve.

Në këtë kuadër ajo kërkoi ngritjen e nivelit të Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes, i vetmi që vazhdon të jetë i listuar nga NATO. Po ashtu, ministrja e Mbrojtjes u ndal dhe tek Qendra e Ekselencës që adreson Fenomenin e Luftëtarëve të Huaj Terroristë.

I kemi kaluar etapat e nevojshme në dimensionin politik në NATO-s, tha Kodheli, dhe me mbështetjen e shumë vendeve aleate, kemi nisur negociatat për ta akredituar si qendër ekselence të NATO-s.

Në mjediset e auditorit të Ministrisë së Mbrojtjes ku edhe u zhvillua kjo ceremoni, ishin të pranishëm, zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjen/major Jeronim Bazo, dhe ushtarakë të tjerë të ushtrisë shqiptare.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb