Paolo Tramexani, dikur krahu i djath të i Xhani de Biazit në stolin e Kombëtares shqiptare, sot drejton Sionin në Superligën zvicerane. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ai thotë se ndihet mirë aty, por nuk e fsheh dëshirën për të drejtuar Shqipërinë në të ardhmen. Në skuadër ka edhe Mario Balotelin, për të cilin tregon se është i jashtëzakonshëm dhe nuk e ka aspak të vështirë ta menaxhojë.

I ruani kontaktet me njerëzit në Shqipëri?

Po, padyshim që kam ende kontakte me shumë njerëz në Shqipëri dhe i ruaj ato me fanatizëm. Ata kanë qenë pjesë e punës sime dhe e jetës sime për katër vite që kam punuar aty. Me shumë prej futbollistëve që kanë qenë në Kombëtare komunikoj ende dhe shkëmbejmë mesazhe. Kam kontakte edhe me stafin aktual, mes të cilëve fizeoterapistin, doktorin dhe trajnerin e portierëve. Kam ruajtur një lidhje të fortë me ta dhe me persona që nuk kanë qenë pjesë e Kombëtares, por që i kam njohur gjatë periudhës që isha zv.trajner i Shqipërisë. Madje mbaj kontakte edhe me shumë shqiptarë që tani jetojnë në Itali dhe më respektojnë shumë. Kam një lidhje speciale me atë vend.

Rezultatet e Shqipërisë nuk kanë qenë të mira së fundmi me Edi Rejën. A ju ka bërë përshtypje dhe sa e keni ndjekur ish-ekipin?

E kam ndjekur ecurinë e Shqipërisë dhe mendoj se është një skuadër që është rritur vërtet shumë. E kam fjalën për aspektin individual dhe atë në grup. Mendoj se ky ekip e ka përfaqësuar mirë Shqipërinë gjatë këtyre viteve dhe besoj se Reja ka bërë një punë të mirë dhe ka lënë gjurmë të rëndësishme.

Nëse FSHF-ja ju bën një ofertë për të marrë drejtimin e Shqipërisë, do ta pranonit?

Një ditë unë shpresoj që të rikthehem në Shqipëri. Këtë ide e kam të ngulitur në kokë që nga dita që u largova nga ai vend. Më pëlqen ideja që një ditë unë të rikthehem dhe të jap kontributin tim dhe të bëj më të mirën. Por, ama sot e ardhmja ime është te Sioni, edhe pse një ditë uroj që të ndodhë rikthimi im në Shqipëri. Do të më lumturonte shumë dhe do të ndihesha krenar që të drejtoja Shqipërinë një ditë para se unë të përfundoj karrierën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb