TIRANË- Mbahet sot në Tiranës tryeza e rrumbullakët me temë “Bashkëpunimi rajonal në çështjet penale” ku përveç drejtuesve të krerëve të drejtësisë shqiptare marrin pjesë një delegacion nga Gjykata e Lartë e Republikës së Maqedonisë dhe Gjykata e Lartë e Malit të Zi.

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani përshëndeti nisjen e bashkëpunimit mes gjykatave të rajonit. Ai tha se sfidat janë të përbashkëta dhe krimi të mos fshihet pas hapësirave juridiksionale.

“E rëndësishme është që ju keni filluar të bashkëpunoni. Ky është një lajm shumë i mirë. Si ministër drejtësi e konstatoj këtë lajm me shumë dëshirë. E theksoj se në mënyrën se si gjykohen çështjet, gjykatësit janë të pavarur. Standardi i gjykimit është standard demokratik. Por atë bashkëpunim që kemi ndërtuar në nivel ekzekutiv apo hetimor ta çojmë edhe në nivel gjyqësor deri sa të vijë një ditë që hapësira juridiksionale të mos ketë dallime parimore në luftën kundër krimit. Sfidat i kemi të përbashkëta. Krimi i organizuar është gjithandej, trafiku gjithandej, pastrimi i parave gjithandej. Kemi një rol se si mund t’i shkëmbejmë përvojat për të bërë të mundur që kultura e pandëshkueshmërisë të mos fshihet pas juridiksionit. Qeveritë mbështesin këtë sfidë. Ne e nxisim bashkëpunim ndërmjet gjykatave me qëllim që të krijojmë njeherë e mirë klimën e ciklit të shpëtimit nga ligji”, deklaroi Manjani.

Kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori kërkoi që të bashkëpunohet në luftën kundër terrorizmit. “Terrorizmi përbën një kërcënim global ndaj duhet bashkëpunim”, tha ai. Njëkohësisht Zaganjori kërkoi respektimin e standardeve për proceset gjyqësore.

Në këtë tryezë do të jenë të pranishëm së bashku me anëtarët e delegacioneve të Maqedonisë dhe Malit të Zi, edhe anëtarët e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.

Në tryezë do të diskutohen tema si; Lufta kundër krimit të organizuar dhe (trafikimi i qenieve njerëzore, lëndëve narkotike, etj.); Ekzekutimi i vendimeve penale në nivel rajonal (njohja e vendimeve penale, ekstradimi, etj.); Ndihma juridike në procesin penal (letër-porositë, njoftimet, marrja e provave, etj.); Standardet ndërkombëtare në unifikimin e praktikës gjyqësore në fushën penale).

(m.k/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: