Kreu i AK Kreshnik Spahiu, parashikon se vendi do të shkojë në krizë parlamentare dhe institucionale për shkak të përplasjes mes PS-së dhe LSI-së.

Sipas tij, kjo përplasje mes dy forcave politike të koalicionit qeveritar, do të vijë për shkak të kandidaturës së LSI për President, i cili do të jetë Adriatik Llalla.

“Pas një muaji do të kemi zgjedhjen e Presidentit, para zgjedhjeve parlamentare. Ky do të jetë momenti i një krize politike, për faktin se LSI dhe Ilir Meta po presin këtë moment nëse Rama do t’i qëndrojë marrëveshjes që të zgjedhë LSI Presidentin. Meta e ka shprehur hapur që nuk do të jetë ai Presidenti. Nga informacionet e fundit që ne kemi sot, LSI do të dalë me një propozim konkret, që do të jetë Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, kandidat për President i Republikës”, deklaroi Spahiu në emisionin “Dritare me Rudinën” në Vizion Plus.

Ai tha se lufta brenda llojit do të çojë në një luftë institucionale parlamentare. “Mendojmë që kjo nuk do të mirëpritet nga disa socialistë por le të shikojmë në ditët e ardhshme nëse do të sjellë një moment përplasjeje mes LSI dhe PS. Lufta brenda llojit do të çojë në një luftë institucionale parlamentare, për shkak të mos dakordësisë që do të kenë këto dy forca politike, sepse vet PD nuk i ka votat për të propozuar një kandidat për president”, tha Spahiu.

Lidhur me këtë deklaratë të kreut të AK, Kryetari i PDS Paskal Milo tha se do ketë zgjidhje më të pranueshme.

“Mendoj që do të ketë zgjidhje të tjera më të pranueshme dhe konsensuale. Nga reagimet sa kam dëgjuar, PS nuk besoj se do ta mbështeste Llallën për President”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb