Nga: ORNELA MANJANI*
TIRANE – Drejtoresha e AKKP-së, Sonila Qato ka shpjeguar dje, në Komisionin e Ligjeve, të gjitha pikëpyetjet e ngritura deri tani në lidhje me draftin për trajtimin dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave. Tri problemet kryesore, për të cilat Qato sqaroi jo vetëm deputetët e komisionit, janë: e para, se nuk do të ketë rishikim të vendimeve për kompensim që janë dhënë deri tani; e dyta, zëri kadastral i ‘45-ës cilëson vetëm llojin e tokës për kompensim, dhe vlerësimi mbi të cilin llogaritet vlera e kompensimit do të jetë sipas hartës së vitit 2012, që është edhe vlera e tregut sot; dhe e treta, në zonat informale që deri tani nuk bëhej kompensim do të çelet procesi. Në këto zona do të kryhen kompensime dhe do të kthehen ato sipërfaqja që janë të lira. “Gazeta Shqiptare” zbardh të plota debatet dhe pyetje-përgjigjet mes deputetëve dhe drejtoreshës së Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Arben Ristani: Sa hektarë tokë keni hequr në 2 vjet nga fondi për kompensimin e pronarë dhe pse?
Sonila Qato: Kemi trashëguar në vitin 2013 një fond objektesh 2.4 mld lekë, fondin e tokës 18 mijë hektarë dhe fondin pyjor 71 mijë hektarë tokë. Ajo me të cilën u përballëm me këtë fond fizik të trashëguar ishte fakti, se agjencia nuk kishte informacion se ku ishin të pozicionuara pronat, çfarë statusi fizik kishin, çfarë vlere do të kishin dhe si mund të shpërndaheshin, pa pasur informacion për ta. Në muaji nëntor 2014 është hequr fondi i tokës bujqësore 18 ha dhe është zëvendësuar me 23 mijë hektarë për pronarët. Për herë të parë ka qenë i identifikuar 23 mijë ha.
Arben Ristani: E kuptoj që ka pasur një 18 dhe është bërë 23. Ka qenë një fond kompensimi në Buf; pse janë hequr nga fondi?

Sonila Qato: Për të mos përsëritur të njëjtën fjalë, agjencia nuk ka trashëguar hartë për sipërfaqen 18 mijë ha. Unë nuk e di ku ka qenë e pozicionuar, sepse nuk ka pasur asnjëherë asnjë informacion se ku është pozicionuar ky fond. Aktet nënligjore të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave nuk kanë asnjë procedurë për ndarjen e fondit të pronarëve. Ky fond ka qenë fantazmë; që nga 2008-a deri 2013-ën nuk u shpërnda asnjë metër për pronarët.
Oerd Bylykbashi: Ministri tha që jemi përballë sigurisë juridike dhe efikasitetit të së drejtës së njohur. Unë mendoj se këto janë përballë. Për cilën arsye, të bazuar në ligjin shqiptar, është bllokuar për 2 vjet zbatimi i ligjit që është sot në fuqi?! Në këtë komision kam pyetur drejtoreshën a do të pezullohej ligji dhe më ka thënë “jo.” Pse është pezulluar?

Sonila Qato: Nuk dëshiroj të përsëris, së njëjtës pyetje i ktheva përgjigje. Premtimi që kam dhënë këtu e një vit më parë është mbajtur. Ai ka lidhje me të gjithë procesin që kjo agjenci ka arritur të bëjë reformën, që është ky projekt. Në vitin 2013 ishte një numër i paidentifikuar dosjesh, askush nuk ishte në gjendje të thoshte sa dosje ishin për trajtim, që datojnë nga viti 1993. U njohëm me fenomenin që dosjet nxirreshin nga arkiva me iniciativë të drejtorit të përgjithshëm. Kur ishte, nxirrte dosje, kur nuk kishte dëshirë, nuk nxirrte. 4 mijë dosje ishin të shpërndara dhe 5 mijë dosje ishin në arkiv, që nuk kishin shanse të merreshin në shqyrtim. Nuk do të merreshin dot vendime pa gjetur sa ishin pretendimet në total të pronarëve dhe pa bërë një analizë të mënyrës se si do të procedohej.
Oerd Bylykbashi: Ju kërkova aktin me të cilin është marrë vendimi për pezullimin e ligjit që ka sjellë për pasojë pezullimin e x dosjeve që prisnin shqyrtim…

Sonila Qato: Është pezulluar puna në AKKP me të njëjtin “akt” që ka pezulluar punën atje në tetë vite, duke shqyrtuar 1 mijë dosje, nga 7-8 mijë dosje. Nuk gjykoj se këtu është nevoja për të pasur një akt konkret, sepse agjencia ka bërë hartën dixhitale të pronave, e cila do të bëjë transparencën.
Bylykbashi: Nëse një person ka 10 mijë m2 pronë, për t’u njohur, është e lirë sot. Sot ka një vlerë x, 1000 lekë/m2, le të themi, dhe në 29 nëntor ‘44, kur filloi të shpronësohej pronari, vlente 10 lekë. Pra 100 lekë sot, 10 lekë atëherë. Është e lirë sot. Çfarë do të bëni me këtë pronë, si do e njihni, sa do kompensoni, sa do të marrë ky person në fund fare, pra kthim fizik?

Sonila Qato: Projektligji e ruan procesin e kthimit të pronës. Termi “kthim” është zëvendësuar me termin “kompensim fizik” në pronën e njohur. Të gjitha kërkesat e patrajtuara në AKKP e njeh të drejtën e agjencisë për njohjen, për kthimin kur prona është e lirë dhe kthimin e pronës. Në rast se këto 10 mijë m tokë truall janë të lira dhe mund t’i kthehen pronarit, ato të trajtohen si të tilla. Nëse 1 mijë apo 10 mijë janë të lira, do t’i kthehen.
Eduar Halimi: Kush ju jep të drejtën të rishikoni të gjitha vendimet e dhëna deri më tani?! Ai që ka marrë më shumë, do ia hiqni. Ai mund të ketë kaluar 100 gjyqe. Ky ligj u bie në ballë vendimeve të Gjykatës Kushtetuese; pse duhet ta votojmë ne?!

Sonila Qato: Nuk është e vërtetë që ligji u referohet çmimeve të vitit ‘45. Përdoret çmimi i hartës së vlerës së pronës, një çmim që nxirret bazuar me një VKM që përcakton metodologjinë për caktimin e çmimit. Metodologjia e përcaktuar në VKM të vitit 2012. Dhe është kjo shtylla kryesore ku llogaritet çmimi, që ka në bazë çmimin e tregut. Kjo vlerë tregu përdoret sot për vlerësimin ekonomik të të gjitha vendimeve që presin të kompensohen. Ky projektligj nuk do të marrë në shqyrtim 58 mijë vendimet e dhëna në 23 vjet proces. Ky projektligj merr 23 mijë vendime që kanë vendosur kompensimin e pronave. Këto vendime që janë përfundimtare, do t’i nënshtrohen vetëm vlerës, pra sa lekë do të marrë pronari. Për herë të parë do të njihet prona 100%.

Eduard Halimi: A ka rishikim të vendimeve nga ATP-ja?
Sonila Qato: Prona vlerësohet në bazë të zërit kadastral në momentin e shpronësimit. A ka mundësi shteti shqiptar të mund të realizojë kompensim bazuar në zërin e tregut dhe zërin në të cilin sot figuron prona? Rezulton se, me gjithë vullnetin e mirë, kjo është e pamundur. Shtetit shqiptar do t’i duhen 4 mijë vite për kompensim nëse do ecnim me ritmet që është ecur deri tani. Strasburgu i tha Shqipërisë në 2012-ën që, “ju duhet të gjeni një mjet të brendshëm efektiv për të zgjidhur këtë problem”, dhe ky ishte mjeti efektiv.

Qemal Qefalia: A cenohet fondi i kompensimit të tokës nga ALUIZNI, që vazhdon të shpërndajë tapi në truallin e ish-pronarëve?
Sonila Qato: Procesi i nisur paralelisht i trajtimit të tokës me ndërtime informale nga ALUIZNI ka qenë një nga kritikat që është përmendur në vendimin pilot të Strasburgut. Kjo veprimtari paralele që trajton tokën është bërë pengesë për kthimin e pronave. Kjo penalizonte gjithë pronarët për të gëzuar të drejtën e tyre. Për këtë arsye, neni 24 trajton tokat e zënë nga ndërtime pa leje, që parashikon që, brenda territorit të zënë me ndërtime pa leje ndalohet kthimi i pronës, me përjashtim të rasteve kur prona është e lirë, që mund t’u kthehet pronarëve. Ligji deri tani thoshte nëse në këto zona nuk mund të trajtoheshin kërkesat e pronarëve.

Fatmir Mediu: Shteti i ka të gjitha mundësitë në rast se do rishikojë Ligjin 7501, dhe ka mundësi shteti, në rast se nuk do të jepte legalizim falas, dhe çdo vit shtohen zonat për t’u legalizuar. Në rast se kjo s’do ishte bërë, do kishte shumë më shumë tokë për të kthyer. Kam një pyetje: Kush janë raportet tuaja institucionale me ALUIZNI-n? Keni vendime të Strasburgut, 70 mijë dosje për kthim dhe kompensim të AKKP-së, dhe keni draftin për kompensim sipas kohës së shpronësimit. A janë këto dy standarde?

Sonila Qato: Pyetja e parë nuk është teknike. Projektligji do të shoqërohet edhe me masa që janë parashikuar në buxhet. Do të rriten burimet njerëzore për të përballuar afatet që janë të ngushta. Ndërkohë, për sa i përket standardit, unë do të bëja vetëm një analizë: Si bëhet sot shpronësimi i tokës bujqësore kur aty kalon një autostradë, që e kthen atë, nga tokë bujqësore, në tokë truall industrial? Pronari shpronësohet për tokë bujqësore. E njëjta logjikë është ndjekur edhe në këtë projektligj.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: