DURRES – Drejtoria e ALUIZNI-t Durrës shpërndau sot disa leje legalizimi tek deklarues me statusin e personave me aftësi të kufizuar. Kjo kategori trajtohet në mënyrë të veçantë nga ligji për legalizimet, duke përfituar falas edhe truallin ku kanë ndërtuar.
Gjatë dhënies së lejeve për disa deklarues tetraplegjik, paraplegjikët dhe të verbërit, morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame dhe drejtori i zyrës së ALUIZNI-t Durrës, Flamur Gjuzi.
Drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame tha për mediat se ndarja e këtyre lejeve tregon anën tjetër të reformës së legalizimeve që shumëkush nuk e beson, dhënien e truallit falas për këto kategori të veçanta që nuk paguajnë asnjë lek për legalizimin e banesës së tyre.
“Nuk kemi ardhur për të dalë në televizor sot, por për të tërhequr vëmendjen tek një nga prioritetet e reformës së legalizimeve dhe një nga facilitetet e krijuara në bazë të kësaj reforme, e cila për fat të keq ende disa qytetarëve ju duket aq e bukur saqë nuk e besojnë. Ka një mori shumë të madhe njerëzish që kanë patur probleme në jetë, që janë invalid, tetraplegjik, apo me probleme të tjera të këtij lloji, të cilët përfitojnë nga pagesat falas dhe nuk paguajnë as parcelën, por gjithçka e marrin falas sa i përket legalizimit”.
Ai shtoi se “qeveria shqiptare ka vendosur t’ua falë këtyre personave tokën duke marrë mbi vete të gjitha përgjegjësitë. Pra qeveria merr përsipër të gjitha detyrimet që do të ketë pastaj. Ndaj, nëse është tokë me pronar, pa pronar, tokë shtet, pra të gjitha detyrimet i merr përsipër qeveria shqiptare. Kjo ishte një mënyrë për të tërhequr vëmendjen që kjo kategori apo të gjithë ata qytetarë që kanë këtë status të vijnë të paraqiten të ndjekin procedurat sepse e përfitojnë legalizimin falas”, nënvizoi Lame gjate fjalës së tij.
Ndërkaq, Lame tha se “kjo pra ishte arsyeja e parë pse jemi këtu sot, arsye e dytë është më tepër njerëzore dhe ka të bëjë me faktin se kur i prek me dorë problematikat e këtyre qytetarëve, e shikon se sa i thellë është halli i tyre. Familja ku ndodhemi tani, e cila është një nga familjet e shumta të cilat përfituan nga ligji i ri për të bërë legalizimin falas ka zbritur vite më parë nga Dibra dhe kanë më tepër se 20 vjet që presin këtë ditë. Nuk është se presin Artan Lamen apo Flamur Gjuzin, por prisnin që shteti shqiptar të kthente kokën nga ta. Në fund shteti shqiptar e ktheu kokën edhe nga këta qytetarë”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: