TIRANË- “Shqipëria rrezikohet nga terrorizmi”. Kështu ka deklaruar Agron Sojati, koordinator kombëtar për luftën kundër ekstremizmit në studion e “Opinion” në News24. Pas deklaratave dhe informacioneve të shumta në lidhje me planifikimin e një sulmi terrorist gjatë ndeshjes Izrael-Shqipëri dhe arrestimin e 3 personave në Shkodër, të dyshuar për terrorizëm, Sojati thotë se as Shqipëria nuk bën përjashtim nga vendet që rrezikohen nga terrorizmi.

Ai tha se ndeshja e futbollit e planifikuar e bën më të lehtë për dikë që ta ngacmojë ideja e sulmit, por gjithsesi ai qetëson opinionin publik duke theksuar se situata nuk është ashtu siç e përshkruan media.

“Shqipëria rrezikohet nga terrorizmi. Ndeshja në axhendë e bën më të lehtë që dikë ta ngacmojë kjo ide. Në të gjithë dokumentet flitet se njihet risku që Shqipëria përfaqëson. Kemi shqiptarë që kanë shkuar në zona në konflikt, që janë kthyer nga zonat në konflikt. Nuk jemi në atë fazë kërcënimi që media përcjell”, tha Sojati.

Koordinatori kombëtar për luftën kundër ekstremizmit, deklaroi se Shqipëria nuk mund të përjashtohet nga vendet që rrezikohen prej terrorizmit, por në rastin konkret atë të ndeshjesh me Izraelin, ai nënvizoi të jenë marrë të gjitha masat e nevojshme për të minimizuar riskun.

“Shqipëria nuk përjashtohet nga rreziku terrorist. Nëse rrezikohet Londra, Parisi dhe New York, s’mund të themi që nuk rrezikohet Shqipëria. Institucionet e specializuara meritojnë gjithë punën e bërë. Mundësitë që individë apo grupe të vogla mund të krijojnë ndonjë gjë, nuk mund të përjashtohen, por urojmë që të mos ndodhë”.

Sojati shtoi se nuk ka pasur asnjë raport paraprak për alarm gjatë ndeshjes së nesërme, ndërsa masat e marra i konsideroi si pjesë e një procedure standarde të diktuara edhe nga UEFA.

Ndër të tjera ai tha se stadiumi i Elbasnait i ka kaluar testet e sigurisë dhe kërkoi të mos përhapet panik në lidhje me ndonjë sulm të mundshëm terrorist. “Stadiumi i Elbasanit i ka kaluar provat dhe testet e sigurisë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Shkodrën. Nëse ekzistonte mundësia për veprime terroriste në një vend, thjesht shmangia nga ky stadium e bën të vështirë riorganizimin e grupimeve terroriste. Prandaj nuk duhet të përhapet panik”,- tha ai.

Në lidhje me arrestimet në Shkodër, ai tha se nuk bëhet asnjë veprim policor pa u mbështetur në një procedurë penale, pa pasur një miratim nga prokurori apo vendim nga gjykata.

Sa i përket kapaciteteve që Shqipëria apo çdo vend tjetër ka për të shmangur aktet terroriste, koordinator kombëtar për luftën kundër ekstremizmit tha se askush nuk mund të thotë se i ka të gjitha kapacitetet vetë.

“Në çdo fenomen nuk besoj se jo Shqipëria por asnjë vend nuk ka mundësi të mendojë që ka parasysh gjithë hartën e aktiviteteve që të thotë kush janë kapacitetet. Shqipëria ka pasur kapacitete. Askush nuk duhet të krijojë mendime se kemi resurse shtetërore që të ndjekim çdo njeri”, tha ai.

BISEDA NE RUBRIKEN “OPINION” NE “NEWS24”

A është e rrezikuar Shqipëria nga aktet terroriste?
Kam përshtypjen se Shqipëria gjendet në atë situatë që ka qenë për sa i përket rrezikut të një sulmi të mundshëm terrorist. Një ndeshje futbolli, pavarësisht nga axhenda, nuk e rrit shkallën e rrezikut, po flasim në nivel kombëtar apo rajonal. Nuk përjashtohet mundësia që individë apo grupe ta përdorin, qoftë edhe një ndeshje futbolli. Kjo thjesht për faktin se është një ndeshje me axhendë. Pra, dihet paraprakisht kush dhe ku. Kjo e bën më të lehtë mendimin e kujtdo që mund të marrë iniciativa të krijojë një ngacmim apo një sulm. Të themi që Shqipëria është vend imun dhe e ka kaluar këtë fazë nuk e themi pasi nuk flitet për imunitet.

Pra, Shqipëria rrezikohet nga terrori dhe kjo është shprehur në të gjitha dokumentet e strategjisë për sigurinë për antiterrorin, që është miratuar në 2014-n, apo strategjinë për ekstremizmin, që është miratuar në 2015-n. Ne kemi një prezencë të hershme dhe po themi me potencë për sa i përket raportit të popullsisë, apo të peshës gjeopolitike që kemi, në të gjitha këto organizmat që janë angazhuar dhe janë në frontin e luftës kundër terrorit. Mjafton kaq për të thënë që Shqipëria nuk bën përjashtim.

Arrestimet që janë bërë së fundmi, a kanë pasur një bazë të mirëfilltë?
Absolutisht. Pa rënë në interpretim politik, nuk bëhet asnjë veprim policor pa u mbështetur në një procedurë penale. Pa pasur një miratim nga prokurori apo një vendim nga Gjykata. Kjo është tejkaluar në Shqipëri prej vitesh. Unë vetë kam pasur fatin të drejtoj struktura dhe jam shumë familjar me procedurën. Problemi është se ka gjithmonë dëshirë për informacion të detajuar të dorës së parë ndoshta dhe gjatë kohës që zhvillohen procedura të tjera hetimore. Fakti që nuk mbushet vakumi apo nevoja për informacion, duket sikur vihet në pikëpyetje edhe çështja e legjitimitetit të veprimeve, por unë për këtë jam fare i qartë se në çfarë niveli është hetimi, pastaj janë të tjera struktura që merren me këtë pjesë, por absolutisht që nuk bëhet asnjë lloj veprimi pa pasur një bazë të qenësishme.

Pra, ka elemente të qarta dhe rreziku ka qenë real?
Kam bindjen absolute që ka.

Kjo ka qenë një përpjekje për të bërë një goditje në Shqipëri, që të tërhiqte vëmendjen ndërkombëtare, apo jo? Jo thjesht goditje të Shqipërisë, por shfrytëzimi i mbërritjes së ekipit të Izraelit, çka dihet se do të shkaktonte menjëherë një lajm shumë të madh ndërkombëtar. Sa të varur jemi ne nga bashkëpunimi me partnerët për të zbuluar në kohë sulme të tilla?
Në çdo fenomen, nuk besoj se jo Shqipëria, po asnjë vend, sado resurse të ketë, nuk mund të mendojë se ka parasysh të gjithë hartën e aktiviteteve, që të jetë në gjendje për të thënë se kush janë kapacitetet. Fakti është që Shqipëria ka treguar se deri më sot ka pasur kapacitete të parandalimit të aktiviteteve apo akteve të terrorit. Ne kemi treguar se jemi në gjendje të ofrojmë siguri dhe garanci, por nuk flitet në terma absolutë asnjëherë.

Personalisht nuk mendoj se grupi, kushdo të ketë qenë, pavarësisht veprimeve që janë bërë nga Prokuroria apo Policia e Shtetit, të kenë qenë në atë fazë kërcënimi, ashtu sikur është publikuar. Them se nuk duhet të jemi në atë nivel. Mos të harrojmë se kemi 23 shqiptarë që kanë humbur jetën në Siri dhe Irak. Kemi mbi 40 persona që janë kthyer dhe vazhdojnë të tjerë që të qëndrojnë atje edhe pjesë e veprimeve luftarake.

Ju keni eksperiencë edhe me ndeshjen me Serbinë, keni qenë drejtor në atë kohë. Si ka qenë atmosfera në qarkun e brendshëm?
Çdo aktivitet i rëndësishëm, jo vetëm ndeshjet, pasi të rëndësishme janë edhe vizitat e personaliteteve të larta, por në rastin e ndeshjes me Serbinë kishim një precedent. Kishte ndodhur diçka në ndeshjen e parë. Pritshmëritë ishin të tilla që jo thjesht duhej të garantohej siguria, por u morën masa që të evitoheshin edhe sjelljet e pahijshme karshi një ekipi, për të minimizuar mundësinë e interpretimit me bazë nacionale e të tjera me radhë, që në fund fare i shërben një urrejtjeje që nuk e shohim prezente në terma realë as në qytetarët shqiptarë, as në qeveritë respektive.

Ndërsa në rastin e ndeshjes me Izraelin, flas në kapacitetin ku jam sot, nuk kemi pasur asnjë lloj pritshmërie në raportin e një alarmi paraprak. Stadiumi i Elbasanit i ka kaluar provat dhe testet e sigurisë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Shkodrën. Nëse ekziston mundësia për veprime terroriste në një vend, thjesht shmangia nga ky stadium e bën të vështirë riorganizimin e grupimeve terroriste. Prandaj nuk duhet përhapur panik.

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: