Presidenti i ‘Biznes Albania’, Luan Bregasi teksa përshëndeti iniciativën e qeverisë për garancinë e dytë sovrane, theksoi se kredia për bizneset duhet të jetë pa interesa.

Në një komunikim me ‘News24’ Bregasi pohoi se shuma e kësaj garancie është 150 milionë dollarë, ndërsa kredia do të shërbejë jo vetëm për pagat, por edhe si kapital qarkullues.

Mes të tjerash presidenti i ‘Biznes Albania’ pohoi se protokolli që do të ndiqet nga qeveria dhe bankat për këtë garanci të dytë sovrane duhet të jetë më i qartë për bizneset.

Ku qëndron problemi me garancinë e dytë sovrane?
Në garancinë e dytë sovrane, pavarësisht kërkesave të shumta që bëri biznesi, për lehtësim taksash, për shtyrje të kredive, etj, ne mirëpritëm pasi 15 milionë dollarë që u akorduan në paketën e dytë ishte lajm i mirë. Kjo nuk ishte vetëm për pagat, por për kapital qarkullues. Kishte dy avantazhe, për pagat dhe faktin se shteti mori përsipër që interesat do t’i përballonte vetë. Mendoj se qeveria duhet të shpejtonte në alookimin e kësaj kredie të garancisë sovrane. Para marrëveshjeve me bankat, në dijeninë time, megjithëse pati një shkëmbim informacioni, këto institucione ende nuk janë të qarta se çfarë protokolli do të ndjekin për garancinë sovrane. Për ne biznesmenët, nëse realizohet dhënia e kredisë 150 milionë dollarë, nuk është pak. Por nga informacionet që kemi, bankat hezitojnë për dhënien e kësaj kredie. Është e ditur se 60 % e kompanive shqiptare, punojnë me kredi bankare, projektet e tyre i kanë financuar nga projektet bankare. Sidomos sektori i turizmit, fasoneritë, etj. Kjo kategori që është drejtuar tek bankat, nuk po them se marrëdhënia me këto ndërmarrje ka qenë 100% e shëndetshme, kjo dhe për shkak të konkurrencës, apo çmimeve të larta të lëndëve të para që ka tregu jonë. Çka i ka bërë shumë biznese që mos të kenë raport të shëndetshëm me bankat.

Janë biznese që kanë pasur kredi bankare që nuk i kanë shlyer në mënyrë të rregullt?
Jo se them këtë. Por kanë pasur dobësi në marrëdhënie me bankat. Janë riskeduluar kreditë. Nëse qeveria vendos kushtin që deri në muajin shkurt të këtij viti, bizneset do të jenë korrekte me bankat, do jetë e vështirë që të përfitojnë këtë kredi përmes garancisë së dytë. Bankat nuk duhet të kërkojnë shumë dokumente, se sa kur japin një kërdi vet ato. Kjo kredi duhet të jetë pa interesa ose nga 0.5-1 %., dhe jo 5 %. Pasi janë interesa të larta. Duhet të ndihmohet biznesi. Ende kompanitë kanë vështirësi. Po bëjnë plane biznesi. Qeveria duhet të bëjë një protokoll të saj që mos të paguajnë principalin për 6 muaj deri në 1 vit. Ne kemi kërkuar që kohëzgjatja e kësaj kredie, për shkak se efektet e pandemisë do jenë dhe përtej një viti, të njihet deri në periudhë 5-6 vjet. Janë disa kushte që duhet të shoqërohen dhe që të ndihmohet biznesi. Nëse kjo kredi konsumohet, edhe pse mund të ishte më shumë, nëse injektohet shpejt në ekonomi, do ta relaksojë shumë këto biznese që janë në vështirësi.

Këto kërkesa të biznesit nuk janë diskutuar me qeverinë? Pasi kushtet e kësaj garancie të dytë sovrane janë thënë kohë më parë nga qeveria…
Ne kemi qenë në kontakt me Ministrinë e Financave, dhe dua të përshëndes disponibilitetin që ka pasur si institucion. Por duhet të ekzistojë një mekanizëm i qartë mbi përgjegjësitë që merr shteti. Unë kam informacione që shteti ynë i ka kërkuar bankave se në rast se një kredimarrës s’do të shlyejë dot kredinë, në 40% që ka banka, kjo të ndahet me qeverinë. Kjo nuk është gjë korrekte. Unë mendoj se duhet të përshpejtohet procedura e thithjes dhe disbursimit të kredisë sovrane, që biznesi mos të ketë vështirësi. Dhe e treta; elementët që përbëjnë protokollin e një kredie, të jenë të thjeshta. Shlyerja të jetë 6-7 vite, pra të ndihmohet biznesi. Bankat janë të shëndetshme dhe mund të financojnë ende ekonominë shqiptare.

Çfarë kërkoni nga qeveria? Të ketë marrëveshje të re?
Nuk është se na e kanë bërë të qartë protokollin e qeverisë me bankat për garancinë e dytë sovrane. Por kemi dalë në këtë përfundim se protokolli është pak i vështirë. Nuk është protokoll që e nxit biznesin që të tërheq garancinë e dytë sovrane. Duhet që shtet të marrë përgjegjësinë, rriskun e vet që e ka deklaruar se do të marrë 60 % të rriskut. Po ashtu t’i jepet frymëmarrje biznesit që të shlyejë këtë kredi.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb