SHBA- Gjashtë gra të tjera kanë akuzuar për ngacmim seksual ish-drejtuesin e korporatës mediatike CBS, Les Moonves duke çuar në 13 numrin akuzueseve, për ngjarje që kanë ndodhur vite më parë.

Les Moonves, i cili dha dorëheqjen të dielën, i ka hedhur poshtë akuzat si të pavërteta. Ndërkohë nën shënjestrën e kritikëve është vënë një deklaratë e anëtarëve të bordit të CBS-it, ku falenderohet Les Moonves për arritjet e tij dhe krijimin e një skuadre të fortë menaxhimi.

Sot drejtuesi i rrjetit mediatik CBS nuk është më në detyrë, ndërsa ka shërthyer një valë e re akuzash për ngacmime seksuale dhe intimidim. Në një artikull të sapo publikuar në revistën “New Yorker” 6 gra të tjera kanë dalë me akuza kundër Les Moonves, i cili e ka drejtuar kompaninë mediatike për dy dekada.

Phyllis Golden Gottlieb i tha revistës se Les Moonves e sulmoi atë seksualisht në vitin 1986.
“M’u afrua, më ngriti lart dhe më shtyu, por fort tek muri”. Golden Gottlieb thotë se qëndroi në heshtje sepse kishte frikë se si do të siguronte jetesën, duke thënë: “Ai pa dyshim, mund të ma shkatërronte karierën. Ai ishte kreu i CBS-t. Askush nuk do të më punësonte”

Masazhatorja terapiste Deborah Kitay pretendon gjithashtu se Les Moonves ishte zhveshur përpara syve të saj gjatë një seance masazhi në vitet ’90.

“Ndodhesha në shtëpinë e tij dhe kisha marrë me vete tavolinën time të masazhit. Po qëndroja mbi shpinën e tij, e kisha mbuluar me një çarçaf. Ai e hoqi çarçafin dhe e hodhi në tokë. E ngrita çarçafin dhe i thashë, mbulohu!”.

Akuzat më të fundit i shtohen atyre të 7 grave të tjera, të cilat e patën akuzuar më parë Les Moonves për shkelje, duke nisur nga avancimet e padëshiruara, tek sulmet seksuale, shkruan VOA.

Vitin e kaluar manjati i medias pati mbajtur një fjalim për lëvizjen kundër ngacmimeve dhe sulmeve seksuale MeToo.

“Mendoj se jemi shtangur nga ajo që kemi parë, por mendoj se është e rëndësishme që një kompani të mos e lërë këtë të jetë pjesë e kulturës së saj dhe kjo filozofi po përhapet gjerësisht”.

Në një deklaratë të lëshuar dje në mbrëmje Les Moonves e cilësoi privilegj drejtimin e CBS-it duke shtuar: “Aktualisht po më bëhen akuza të pavërteta që vijnë nga shumë vite përpara dhe që nuk përputhen me atë që unë jam”.

Kritikët kanë vënë nën shenjestër një deklaratë të anëtarëve të bordit të CBS-it ku falenderohet Les Moonves për arritjet e tij duke shkruar: “E falenderojmë Les Moonves për 24 vitet e shërbimit të tij mes arritjesh, ai krijoi një skuadër të fortë menaxhimi”.

Të tjerë po shprehin zemërimin rreth një pakete përfitimesh pas largimit për Les Moonves me vlerën e 100 milionë dollarëve, por këtë mëngjes paketa u pezullua deri në një vendim të dytë, në varësi të hetimeve që do të kryhen nga vetë kompania mediatike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb