Arben Lena kryetar i dhomës së avokatisë Korçë është shprehur kundër hartës së re gjyqësore që pritet të implementohet së shpejti. Ai ka deklaruar sot se kj skemë nuk i shërben popullit dhe as marrjes së drejtësisë efikase.

“Është një problem që ne e kemi ngritur që në fillimin e hedhjes së idesë së reduktimit të gjykatave dhe aktualisht jemi para një drafti të miratuar nga KLGJ dhe Ministria e Drejtësisë në të cilin synohet një reduktim drastik i gjykatave. Gjykatat e Shkallës së Parë kalojnë në 12, kemi vetëm 1 gjykatë apeli, 2 gjykata administrative të shkallës së parë dhe një gjykatë apeli administrative.
Kemi një skemë që unë nuk e di se kujt do i shërbejë por sigurisht që nuk do i shërbejë popullit, marrjes së drejtësisë efikase nga populli. Është e pamundur që sistemi i drejtësisë të funksionojë me këtë skemë dhe me këtë mënyrë organizimi gjykatash pavarësisht se cilat janë qëllimet e krijimit të këtij drafti, por është një skemë që shumë shpejt do bjerë në kolaps. Pretendohet që shërbimet përfshirë edhe ato të drejtësisë te jenë sa më afër qytetarit dhe ai postulati ‘Drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar’ në qoftë se deri tani e kemi pasur në raste të pakta, besoj që tani kjo drejtësi e vonuar do jetë më se evidente dhe e prekshme gjithandej”, tha Lena.

Sipas tij, 3000 dosje një gjyqtari të apelit i duhen 15 vite që t’i përfundojë.
“Ashtu siç e përmendi edhe drejtuesja e KLGJ dje, sistemi gjyqësor dhe gjykatat janë në minimumin e kapacitetit të tyre. Dje vetë kryetarja e KLGJ solli si shembull gjykatën administrative të apelit në të cilën një gjyqtar ka 3000 dosje. Me një llogari të thjeshtë ditë pune efektive janë 220. Në rastin më të mirë që një gjyqtar të lexojë një dosje, të arsyetojë vendimin dhe të japë një vendim të drejte i duhet minimumi 1 ditë. Atëherë brenda një viti një gjyqtar duke mos i vajtur dosje të tjera përfundon 220 dosje. 3000 dosje një gjyqtar i apelit i duhen 15 vite që t’i përfundojë. Aksesi i qytetarëve në drejtësi është pothuajse i pamundur dhe jo efektiv dhe kjo skemë po i zhyt akoma më keq në një jo efektivitet të plotë. Dje kam pasur kontakte me kolegë të mi, dhe kemi shprehur të gjithë indinjatën tonë në lidhje me ketë problem dhe me sa jam informuar nga kryetari i dhomës së avokatisë Haxhiaj është hedhur ideja e një bojkoti të cilin ne e kemi bërë edhe herë të tjera kur ka qenë puna edhe me skemat e sigurimit dhe detyrimin e caktimit të një page minimale jonormale për avokat. Në varësi të përgjigjes mund të marrim edhe masa të reja në lidhje me këtë problem që po zhvillohet”, tha Lena.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb