Kreu i FRESSH-së, Eljo Hysko, me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook” i është përgjigjur ish-kryeministrit, i cili  tha se Rama po hakmerret ndaj këtij forumi duke përdorur metoda  te sigurimit të shtetit.

Mes tjerash Hysko shkruan se një kundërpërgjigje ndaj Berishës ishte e detyruar, duke i kujtuar atij se  nuk e di se çfarë do të ndodhte nëse FRPD-ja do të protestonte nëse në pushtet do të ishte Sali Berisha.

Ai shkruan se FRESSH-ja ka mbajtur një raport parimor duke respektuar kërkesat e studentëve.

Postimi në FB:

Një përgjigje e detyruar ndaj sb.

Në një kohë kur studentët do të paguajnë 50% më pak tarifë, ata me mesatare mbi 9 apo nga familje me ndihmë ekonomike, do të kenë ARSIM FALAS dhe do të përfitojnë 100 mije lek bursë, ka filluar puna për transformimin e konvikteve, punësimin e ekselentëve në administratë, krijimin e kartës së studentit etj, Sali Berishën e paska zëne meraku për trajtimin e FRESSH-it nga kryetari ynë, Edi Rama!

Kur lexon te tilla shfaqje të sharlatanizmit politik, s’ke si të mos ndjesh keqardhje për ata që e marrin akoma seriozisht këtë Doktor Pacient!

FRESSH është organizata rinore politike e cila ka mbajtur një qendrim parimor dhe luajal në raport me protestën dhe kërkesat e studentëve, duke i mbështetur ato.

Jam kurioz, edhe pse imagjinata ime nuk e kap dot, cfare do të kishte bërë Saliu nëse FRPD-ja do kishte protestuar qofte edhe për ngrohjen globale, gjatë qeverimit të zoterisë!

Por ne po ashtu kemi mbështetur dialogun, si normalitetin më fillestar demokratik në kushtet kur kryeministri e ka kerkuar këtë nga studentet dhe si fillesën e një procesi transformues të universitetit.

Ndërkohë haptazi forumet e tjera, ku shkëlqejnë për kapacitete muskuloze, forumi i rinisë berishiane ka uzurpuar megafonin e studentëve duke e kthyer në Dolby Stereo të shiritave magnetofonike të Shqupit dhe Çizmes!

Që nga dita e parë dhe deri më sot aktivistët e FRESSH kanë mbajtur qendrimin e tyre individual dhe kjo është shënja më e madhe e demokracisë së brëndshme së këtij forumi dhe të vetë Partisë Socialiste.

Ky qendrim, i paimagjinueshëm për drejtuesin e fundit autoritar në tranzicion është një nxitje për shfrenimin e fantazive me presione e diversione staliniste.

Sali Berisha nuk mund ta imagjinojë se aktivistë të një force politike mund të ishin pjesë të një proteste të sikletshme ndaj qeverisë që mbeshtesin, sepse ai i ka detyruar të tijët të mbronin publikisht krime si Gerdeci, të justifikonin vrasjen e 4 individëve në 21 janar si dhe shumë krime e mekate të tjera gjatë kohës që ai ka qeverisur.

FRESSH do të jetë gjithnjë në mbështetje të procesit transformues për universitetin, duke e konsideruar protestën e studentëve zanafillën e tij.

Sa për idenë e hedhur nga kryetari Edi Rama, per te liberalizuar ne statutin e PS krijimin e organizatave të tjera të tjera me PS, kjo quhet të jetosh me kohen jo të sulmosh FRESSH-in. Por për Doktorin e Byrose Politike të Enverit dhe Pacientin e politikës shqiptare të ditëve të sotme, kjo është e pakuptueshme, sepse për të politika është lufte e njeriut ujk kunder ujkut njeri!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb