TIRANË- Kreu i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori ka dalë dje para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për t’iu nënshtruar Vettingut. Por nga seanca që u zhvillua dje, Zaganjorit i rrezikohet seriozisht karriera.

Kjo pasi, sipas raportit të ILDKPKI të lexuar dje nga relatorja e çështjes Pamela Qirko, ai rezulton i pastër dhe pa probleme me pasurinë, por ka kryer deklarim të pasaktë për apartamentin në Tiranë dhe një dyqan.

Por kryeredaktori i “Gazeta Shqiptare”, gazetari i njohur Erl Murati ka dhënë një arsye të fortë se përse Xhezair Zaganjori duhet ta kalojë vettingun dhe të konfirmohet në detyrë.

Murati shkruan se ishte vota e tij vendimtare që solli anulimin e marrëveshjes me Greqinë për detin. Po të mos ishte relatori i çështjes Xhezair Zaganjori, Shqipëria do të kishte sot 350 km katrorë territor më pak.

“Pas 40 vitesh pune, Xhezair Zaganjori mund të mos e kalojë vetingun, por ka të paktën një gjest, një vendim që i jep atij moralisht një dekoratë mirënjohjeje në historinë e jurisprudencës shqiptare.
Në nëntor të vitit 2009, vota e Xhezair Zaganjorit ishte vendimtare (votimi 5 me 4) për kalimin në seancë të marrëveshjes me Greqinë për përcaktimin e kufijve detarë.
Dihet që kjo gjykatë vendosi një vit më vonë ta quajë atë antikushtetuese dhe për herë të parë në historinë e Shqipërisë të rrëzojë një marrëveshje mes dy shteteve.
Po të mos ishte relatori i çështjes, Xhezair Zaganjori, ky pakt famëkeq sot mund të ishte në fuqi dhe vendi im do të kishte 350 km2 territor më pak.
Kaq mjafton që kryetari i Gjykatës së Lartë ta kalojë sot, të paktën, ‘vetingun patriotik’”, shkruan Erl Murati.

Pas seancës së djeshme në KPK, Kryetari i Gjykatës së Lartë tha se për 40 vite karrierë ka punuar me përkushtim.
“Nuk është momenti për intervista. Jam njeri i ligjit, dhe erdha në proces. E kam mbështetur reformën në Drejtësi, ndaj kam respektuar KPK dhe kam dokumentuar gjithçka. Kam 40 vite pune dhe kam punuar me përkushtim”, tha ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb