NGA SONILA MUSAJ*

Dy ditë pas denoncimit në televizionin “News24” të shtetasit Sali Tafaj se gjyqtari i gjykatës së rrethit Tropojë, Artan Hajredinaj, ka një ndërtim të paligjshëm, duke zënë dhe hapësirat publike (ndërtim pranë gjykatës), “News 24” ka arritur të komunikojë me kryetarin e Gjykatës së Tropojës, njëkohësisht edhe gjyqtar në këtë gjykatë. Z.Hajredinaj deklaron se akuzat e bëra nga shtetasi Sali Tafaj nuk ekzistojnë, pasi çdo pasuri që ai posedon është me dokumente të rregullta dhe se ta gjitha pretendimet janë shpifje. Gjithashtu, kryetari i Gjykatës Tropojë shtoi se çdo pasuri e tij është e deklaruar edhe pranë ILDKP-së.

Z.Hajredinaj, dy ditë më parë një qytetar ka ngritur disa akuza ndaj jush në lidhje me një ndërtim pa leje dhe se ju keni zënë hapësirat publike. Cili është komenti juaj në lidhje me këto akuza dhe a njiheni ju me këtë shtetas?
Unë jam emëruar me detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së rrethit gjyqësor Tropojë më 20.03.2007 dhe që nga data 23.07.2014 ushtroj detyrën si kryetar i gjykatës së rrethit gjyqësor Tropojë. Në ushtrim të detyrës time si gjyqtar në gjykatën e Tropojës më 18.07.2010 kam shqyrtuar padinë e ish-bashkëshortes së shtetasit Sali Tafaj, ku i paditur ka qenë shtetasi Sali Tafaj dhe objekti i padisë ka qenë: Lëshim i Urdhrit të Mbrojtjes.

Unë si gjyqtar me vendimin nr. 5 datë 18.07.2010 të gjykatës së rrethit gjyqësor Tropojë kam vendosur pranimin e kërkesëpadisë, lëshimin e urdhrit të mbrojtjes për paditësen, pra ish-bashkëshorten e shtetasit Sali Tafaj, duke caktuar dhe masat përkatëse, ku një ndër masat ka qenë që i padituri Sali Tafaj të mos hyjë në banesë pa autorizimin e gjykatës dhe të mos i afrohet paditëses në një distancë prej 100m. Masat janë caktuar për një afat 5-mujor.

Po si gjyqtar i kësaj gjykate, më 17.12.2014 kam shqyrtuar padinë e shtetasit Sali Tafaj, ku si palë e paditur kanë qenë ish-bashkëshortja e tij dhe djali i tij, me objekt: Pushimin e cenimit të posedimit të banesës së përbashkët familjare, rivendosjen në posedim të kësaj banese në favor të poseduesve të ligjshëm, ndarjen e sipërfaqes së banesës alpine dhe me vendimin nr. 272 date 17.12.2014 si gjyqtar i gjykatës së rrethit gjyqësor Tropojë kam vendosur rrëzimin e kërkesëpadisë së paditësit Sali Tafaj si të pambështetur në ligj.

Ky vendim është ankimuar nga shtetasi Sali Tafaj në Gjykatën e Apelit, Shkodër. Vendimi i mësipërm është prishur dhe kthyer për rigjykim në gjykatën e rrethit gjyqësor Tropojë me vendimin nr. 10 dt. 14.01.2016 të Gjykatës së Apelit Shkodër dhe aktualisht kjo çështje po shqyrtohet nga ana e gjykatës së rrethit gjyqësor Tropojë. Shtetasi Sali Tafaj ka marrë një fushatë fyese dhe kërcënuese ndaj meje si gjyqtar dhe kryetar gjykate, kjo për shkak të detyrës dhe për shkak të qenies sime si gjyqtar dhe kryetar gjykate, pasi kam shqyrtuar paditë e sipërcituara.

Si i komentoni pretendimet e këtij shtetasi se ju keni një ndërtim pa leje?
Dua të sqaroj se më datën 14.07.2005 me kontratën e shitblerjes nr. 1651 rep. Nr. 162 kam blerë nga shtetasi Mustaf Gjoça pasurinë e paluajtshme njësi tregtare me nr. pasurie 4/62+1-N1 me sipërfaqe 105.5m2, pasuri e cila ndodhet në qytetin Bajram Curri. Më datë 04.09.2005 me kontratën e shitblerjes nr. 3059 rep. Nr. 310 Kol., kam blerë nga shtetasi Mustaf Gjoça pasurinë e paluajtshme, truall i lirë, me numër pasurie 4/61/2 me sipërfaqe 150 m2, pasuri e cila ndodhet në qytetin Bajram Curri.

Me vendimin nr. 7, datë 06.12.2006 Këshilli i Rregullimit të Territorit, qarku Kukës ka miratuar sheshin e ndërtimit me destinacion “Shtesë objekti dhe ngritje kati” me adresë “Lagja Partizani”, “Bajram Curri”. Me vendimin nr. 8 datë 06.12.2006 Këshilli i Rregullimit të Territorit, qarku Kukës ka miratuar dhe dhënë lejen e ndërtimit shoqërisë “Vllaznimi” sh.p.k, për objektin “Shtesë objekti dhe ngritje kati-lokal shërbimi” me sipërfaqe sheshi 260 m2, me adresë “Lagja Partizani”, Bajram Curri.

Ndërtimi i këtij objekti sipas lejes së ndërtimit ka përfunduar në datën 28.02.2007. Më datë 25.11.2008 kam marrë kejen e shfrytëzimit nr. 05, date 25.11.2008 dhe ky objekt është regjistruar në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme, Tropoje, sipas gjitha procedurave ligjore.

Shtetasi Sali Tafaj ju akuzon se keni zënë edhe hapësirat publike, po në lidhje me këtë pretendim të tij çfarë keni për të thënë?
Me kontratën nr., 3060 rep. Nr. 311 kol datë 04.09.2006 kam blerë nga shtetasi Mustaf Gjoça pasurinë e paluajtshme, truall i lirë, me nr. pasurie 4/61/1 me sipërfaqe 480m2, pasuri e cila ndodhet në qytetin Bajram Curri. Pasuritë e mësipërme, si lokalin dhe truallin e lirë, më datë 02.06.2016 i kam shitur dhe tani janë në pronësi të shtetasve të tjerë, të cilët pas nënshkrimit të kontratave të shitblerjes i kanë regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tropojë. Pra, asnjë nga pretendimet e shtetasit Sali Tafaj nuk qëndrojnë, por të gjitha këto shpifje dhe kërcënime bëhen nga shtetasi Sali Tafaj për shkak të detyrës sime si gjyqtar dhe kryetar gjykate.

Kam për të shtuar se pasuritë e mësipërme i kam të deklaruara pranë ILDKP-së. Gjithashtu, nuk kam pasur asnjëherë ndonjë ankesë apo pretendim nga institucionet përkatëse, siç është Bashkia Tropojë, apo nga shtetas, që siç pretendon shtetasi Sali Tafaj, u paskam zënë dritaret disa familjeve.

A dispononi ju dokumente për sa deklaruat?
Sigurisht që disponoj të gjitha dokumentet dhe mund t’ua vë në dispozicion edhe ju si media. Duke qenë se shtetasi Sali Tafaj ka bërë kallëzim penal në lidhje me këto fakte, prokuroria do ta hetojë dhe do ta zbulojë të gjithë të vërtetën. Dua të theksoj edhe njëherë se të gjitha pretendimet e zotërisë janë shpifje dhe kjo për shkak të detyrës sime.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: