TIRANE– Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi ka sqaruar vendimin e Këshillit Bashkiak për të kaluar administrimin e parkut ‘Rinia’ tek Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit si dhe akuzave të opozitës se parku mund të tjetësohet dhe se mund të ketë ndërtime apo kioska.

I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, Aldrin Dalipi tha se agjencia do kujdeset për mirëmbajtjen e parkut dhe se çdo gjë është transparente. Dalipi tha se nuk ka ndonjë skenar apo vendim që është në dëm të qytetarëve dhe tjetërsimi i Parkut nuk mund të bëhet pa miratimin e Këshillit Bashkiak.

“Parku ‘Rinia’ kalon në Administrim të Agjencisë së Parqeve që do kujdeset për parkun dhe qe ai të mos ketë degradim. Çdo gjë është transparente dhe njerëzit do përdorin vete parkun. Edhe mirëmbajta edhe gjelbërimi janë pjesë e parkut dhe jo vetëm ata që banojnë afër parkut mund ta administrojnë, por parku do jetë i aksesueshëm edhe për agjencinë.

Ne morëm një vendim sot për të kaluar parkun në administrim të Agjencisë së Parqeve. Aty nuk mund të ndryshojë asgjë dhe nuk mund të ketë tjetërsim pa miratim të Këshillit Bashkiak. Nuk ka ndonjë skenar apo vendim që është në dëm të qytetarëve. Kjo pronë thjesht do administrohet dhe është në sy të qytetarëve. Jam i bindur që do ketë një hov cilësor administrimi i parkut nga Agjencia”- tha Dalipi.

Dalipi tha se nuk ka pasur një vendim të Këshillit Bashkiak të fshehtë apo që është marrë në fshehtësi dhe më pas është zbuluar një skandal ne lidhje me Teatrin Kombetar.

“Një nga parimet tona është pikërisht transparenca. Për këtë mbledhjet e këshillit janë të hapura për mediat, janë live dhe për faktorët që duan. Lidhur me vendimmarrjen askush nuk mund të thotë se s’ka transparencë. Nuk ka si të ketë një vendim në lidhje me teatrin, kur prona nuk është në administrimin e Bashkisë”- u shpreh Dalipi.

Ai bëri të ditur se një nga vendimet e marra nga Këshilli Bashkiak ishte dhe ai për vendosjen e bustit të ish-kryetarit të Kuvendit Pjetër Arbnori para parlamentit. Lidhur me vendimet e opozitës dhe deklaratat për 6 anëtarë, Dalipi tha se mandatin e japin qytetarët.

“Doja t’ju sillja në vëmendje që ne përveç të tjerave, miratimit të ndihmës ekonomike, etj ne miratuam edhe një vendim për vendosjen e bustit të ish-kryetarit të Kuvendit Pjetër Arbnori përpara lulishtes së parlamentit. Një vendim i rëndësishëm që ka të bëjë me historinë e re pas viteve ‘90. Nuk kam asnjë mendim për çështjet e tjera. Mandatin e japin qytetarët në zgjedhje dhe këshilltari bën betimin në këshillin bashkiak. Asnjë grup politik nuk mund të japë dhe marrë mandate të këshilltarëve”, u shpreh Dalipi.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb