Kreu i KLP, Gent Ibrahimi ka mbajtur fjalën gjatë një aktiviteti në Tiranë për Ditën e Drejtësisë.

Ibrahimi thotë se në Shqipëri po vijon reforma në drejtësi, e cila ende nuk ka dhënë frytet e saj.

Ai thotë se më e rëndësishmja është pjesa finale, ku frytet e Reformës do të jepen pikërisht tek puna e Gjykatave e Prokrurove.

Ibrahimi siguron se fara e drejtësisë së re ka zënë rrënjë dhe frytet po vijnë, teksa institucionet e reja shqiptare kanë për detyrë që të bëjnë që ato mos vonojnë.

 

FJALA NGA GENT IBRAHIMI

Të nderuar kolegë, miq e të ftuar,

Mirëdita të gjithëve dhe mirë se vini në Polin e Drejtësisë!

Për mua dhe Znj. Llagami është privilegj që, në emër të Këshillave përkatës, të jemi mikpritës në këtë ditë simbolike për sistemin e drejtësisë.

Rreth dy vite më parë, shumë prej nesh, ishim të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të kësaj godine. Në atë rast unë parashikova se, kjo godinë e bukur nuk do të vononte të bëhej një qendër gravitacionale e drejtësisë së re shqiptare. Fakti që sot, ne po mblidhemi pikërisht këtu për të përkujtuar këtë datë të rëndësishme në historinë e shtetit shqiptar, mendoj se e konfirmon këtë parashikim.

Prej disa vitesh tashmë, 10 maji, dita e drejtësisë, ka hyrë në ceremonialin e shtetit shqiptar, ndonëse me drojë dhe ende jo zyrtarisht. Ende sot ka disa paqartësi lidhur me kuptimin e mirëfilltë të kësaj date, mesazhet që duhen përcjellë me këtë rast, aktorët që duhet të përfshihen në këtë proces etj.

Këto paqartësi u bënë pothuajse ekzistenciale pas reformës dramatike të vitit 2016. Në fakt, që prej 2016ës e këtej, dita e drejtësisë nuk ka pasur shkëlqimin dhe vëmendjen që kishte më parë dhe që meriton.

Siç e dini, ndonëse zyrtarisht ne jetojmë e punojmë nën Kushtetutën e 1998-ës, në fakt, sa i takon drejtësisë, ne kemi një kushtetutë të re, Kushtetutën e 2016-ës.

Kushtetuta e 2016-ës e rithemeloi sistemin e qeverisjes së drejtësisë mbi baza krejt të reja. Që nga ajo datë historike kemi një abdikim pothuajse të plotë të institucioneve përfaqësuese/politike (Kuvend, President, Qeveri) nga qeverisja e sistemit të drejtësisë.

Në një përpjekje për të përcaktuar me një fjali të vetme modelin shqiptar të qeverisjes të sistemit të drejtësisë, do të thosha se, sot sistemi i drejtësisë bashkëqeveriset nga magjistratët dhe përfaqësuesit e lartë të Kuvendit. Një shprehje e spikatur kjo, e nevojës së kahershme për depolitizim dhe pavarësi të sistemit të drejtësisë, pa cënuar nga ana tjetër atë që mund të quhet ana tjetër e medaljes, llogaridhënien e atyre që qeverisin sistemin e drejtësisë.

Në një nivel tjetër, reforma e thellë e qeverisjes së sistemit u përforcua me racionalizimin e procedurave të punës së gjykatave dhe prokurorive si dhe me përmirësimin e organizimit dhe administrimit të tyre.

Harta e re e institucioneve qeverisëse, e cila përfshin KLGJ, KLP, PP dhe ILD, e mishëron më së miri atë konceptim të guximshëm të legjislatorit shqiptar, sipas të cilit, kufizimi i rolit të institucioneve përfaqësuese/politike shkon krah më krah me instalimin e mekanizmave të efektshëm të llogaridhënies për institucionet e reja të qeverisjes të sistemit të drejtësisë.

Sepse, në të vërtetë, institucionet përfaqësuese, në interesin përfundimtar të publikut, ruajnë disa kompetenca, të cilat, ndonëse në pamje të parë mund të duken të vogla, kanë vlerën e një leve të Arkimedit, kur vjen fjala tek qeverisja e sistemit. E kam fjalën për përgjegjësi të tilla të rëndësishme, si miratimi përfundimtar i buxheteve, emërimi përfundimtar i anëtarëve të këshillave, të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm.

Natyrisht që rikonceptimi i modelit të qeverisjes nuk është qëllim në vetvete. Modeli i qeverisjes është vetëm një parakusht esencial, një sin e qua non po të doni, për të patur, në llogari të fundit, një drejtësi më të mirë, më të shpejtë, më të drejtë. Sepse, pavarësisht reformës së thellë në nivelin e qeverisjes, operatorët e sistemit të drejtësisë, ata që e ushtrojnë pushtetin gjyqësor, kanë qenë, janë dhe do të jenë gjykata dhe prokuroria. Rezultati final i reformës nuk mund të pritet askund tjetër, veçse tek cilësia, shpejtësia dhe integriteti i punës së gjykatës dhe prokurorisë, në të gjitha nivelet.

A mund të themi sot, më 10 maj 2021, se i kemi parë këto rezultate?

Për fat të keq, ende JO.

Mesa duket, efektet beninje që vijnë nga mënyra e re e qeverisjes të sistemit, nga racionalizimi i zgjuar i procedurave të punës të gjykatës dhe prokurorisë, nga reformimi i organizimit dhe administrimit të gjykatave dhe prokurorive, janë neutralizuar, në një farë mase, nga “kirurgjia” e thellë e vetting–ut.

Natyrisht që efektet anësore të procesit të vetting–ut janë të konsiderueshme. Në fakt, rënia drastike e numrit të magjistratëve, në një periudhe kalimtare, shkon në drejtim të kundërt me qëllimin përfundimtar të reformës për një drejtësi më të mirë, më të drejtë e më të shpejtë.

Por, nga ana tjetër, ç’kuptim do të kishte reforma e thellë në nivelin e qeverisjes, të procedurave dhe të organizimit gjyqësor, në qoftë se qelizat kancerogene do të vijonin të gjallonin në organizmin e sistemit tonë të drejtësisë? A nuk do të ishte e kotë sakrifica? A nuk do të ishte i përkohshëm suksesi?

Unë mendoj se, pavarësisht vështirësive të përkohshme, ne asnjëherë nuk duhet të humbasim nga sytë objektivin. Ne sot kemi sigurinë se kemi krijuar kushtet për mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë. Kemi, gjithashtu, sigurinë se viti 2021 shënon pikën më të ulët në kurbën e vështirësive të natyrshme e të pritshme që e kanë shoqëruar zbatimin e reformës në drejtësi. Dhe kjo nuk është një gjë e vogël.

Duke filluar nga viti që vjen, sistemi do të furnizohet me gjak të ri. Magjistratët e rinj që do të hyjnë në sistem në vitin që vjen do të jenë magjistratë të mbrujtur në një stinë reformash, të vetëdijshëm për arsyet e sakrificës dhe, si të tillë, të përgatitur profesionalisht e moralisht për të materializuar me punën e tyre të përditshme, premtimin e reformës në drejtësi, për një drejtësi më të shpejtë e më të drejtë.

Nga ana tjetër, gjatë vitit që vjen, gjithnjë e më shumë, magjistratët në detyrë do të kenë kaluar sprovën e vetting – ut. Ata do të jenë, gjithashtu, të vetëdijshëm se statusi i tyre i përmirësuar dhe i garantuar nga reforma në drejtësi, nuk është një privilegj, por një mjet për të mundësuar premtimet e reformës për drejtësi dhe, prej këtu, për zhvillim shoqëror e ekonomik.

Po kështu, procedurat e racionalizuara gjyqësore dhe organizimi i ri gjyqësor nuk do të vonojnë të shfaqin rezultate në linjë me premtimet e reformës.

Të dashur të ftuar e miq,

Do desha ta mbyll këtë fjalë të shkurtër me një tjetër huazim nga fjala ime në ceremoninë e inaugurimit të “Polit të Drejtësisë”. Dallimi midis optimizmit të shprehur, në atë rast, dhe atij që dua të shpreh tani, qëndron në pothuaj 2 vite punë dhe sakrifica.

E pra, si atëherë, edhe tani, dua të përsëris besimin se fara e drejtësisë së re ka zënë rrënjë. Frytet po vijnë. Detyra jonë është të bëjmë të mundur që ato të mos vonojnë. Nga ju presim besimin, durimin dhe opozicionin që lypset për t’i shkuar në fund kësaj rruge që kemi nisur.

Ju faleminderit!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb