KUVAJT- Kreu i Komitetit Shtetëror për Kultet Ilir Hoxholli si dhe Kryetari i Komunitetit Mysliman Skënder Brucaj ndodhen për një vizitë në Kuvajt, me ftesë të Ministrisë së Vakfeve. Gjatë takimeve me zyrtarë kuvajtianë, Hoxholli dhe Brucaj kanë marrë mbështetjen e tyre për projekte të rëndësishme në Shqipëri dhe për zgjerimin e ndihmës së këtij shteti ndaj jetimëve. Ndërkaq kreu i Komitetit Shtetëror për Kultet ftoi zyrtarët që të shohin mundësinë për investime Shqipëri, pasi sipas tij vendi ynë është i mrekullueshëm.

Delegacioni u prit nga zv/ministri i Vakfeve Adil Al Falah. Në takim u vlerësuan marrëdhëniet mes dy shteteve si edhe vizita e kryeministrit Rama në Kuvajt. Të dy palët vlerësuan marrëdhëniet e mira të forcuara së fundmi. Në kuadër të bashkëpunimit fetar, u vlerësua harmonia fetare në Shqipëri, si modeli më i mirë i bashkëjetesës ndërfetare.

Hoxholli i shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë në Kuvajt Kujtim Morina dhe Konsulli Ilir Hysa, falënderoi shtetin e Kuvajtit për ndihmën dhe bashkëpunimin për qeverinë shqiptare. Ata vlerësuan veçanërisht ndihmën që shteti i Kuvajtit jep për jetimët, duke ndihmuar në zvogëlimin e kësaj plage sociale, si edhe kërkoi që kjo ndihmë të shtrihet edhe më gjerë, deri në përkujdesjen ndaj tyre me shkollimin profesional.

Nga pala Kuvajtiane u premtua se shumë shpejt do të kemi një projekt të madh për të ndihmuar këtë kategori në nevojë, si edhe mbështetje për arsimin profesional në përgjithësi.

Kryetari Ilir Hoxholli ftoi që këto marrëdhënie të shtrihen edhe në fushën e biznesit pasi Shqipëria është një vend i mrekullueshëm për investime në fusha të ndryshme.

Kryetari i Komunitetit Mysliman i shoqëruar nga Myftiu i Shkodrës Muhamed Sytari dhe Kancelari i KMSH-së Ylli Cikalleshi, falënderoi për mikpritjen si edhe mori mbështetjen nga pala kuvajtiane për projektet e Komunitetit Mysliman. Gjatë takimit Bruçaj prezantoi punën që institucioni të cilin ai drejton ka zhvilluar ndër vite. Ai ftoi zv/ministrin Al Falah për një vizitë në Tiranë ku të njihej më mirë me Shqipërinë.

Në takim u fol për rëndësinë dhe forcimin e institucionit të Komunitetit Mysliman, zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes institucionit dhe ministrisë së Vakfeve në Kuvajt.
Zv\Ministri Adil Al Falah vlerësoi si tepër të rëndësishëm këtë vizitë duke theksuar se këto takime i shërbejnë forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe se Kuvajti është i gatshëm të ndihmojë Shqipërinë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb