MAQEDONI- Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ndodhet në Maqedoni për një vizitë dy ditore me ftesë të homologut të tij, Trajko Veljanoski. Meta ka mbajtur një fjalim në Parlamentin e Maqedonisë ku ka shprehur mbështetjen e Shqipërisë dhe vullnetin për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Kreu i parlamentit shqiptar ka vënë theksin gjatë fjalës së tij në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, që sipas tij do ti shërbejë paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Kemi ardhur sot në Shkup për të dhënë mesazhin e qartë të miqësisë sonë të sinqertë, dhe t’ju rikonfirmojmë se Shqipëria, si fqinji juaj dhe si një vend anëtar i NATO-s, e mbështet plotësisht e në mënyrë të pakursyer Maqedoninë në rrugëtimin e saj të integrimit euro-atlantik. Në emër të kësaj të ardhmeje kuptimplotë, dhe duke mos harruar të shkuarën e hidhur të rajonit tonë, të cilën të gjithë urojmë t’a kemi lënë përgjithmonë pas, Shqipëria dhe Maqedonia duhet t’a ngrejnë miqësinë dhe ndërlidhjen mes tyre në një nivel tjetër, më të lartë dhe më cilësor. Më lejoni që në emër të miqësisë sonë të sinqertë, të shpreh bindjen e thellë për domosdoshmërinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, dhe për jetësimin e saj integral. Kjo marrëveshje dhe zbatimi i saj i plotë na forcon dhe na afron të gjithëve. Më pranë njëri-tjetrit por edhe më pranë Bashkimit Evropian. Marrëveshja e Ohrit dhe jetësimi i saj i plotë, është një gur prove i vullnetit tonë evropian. Një gur prove për paqen dhe harmoninë ndëretnike, mbi egoizmat nacionale, tha Meta.

Kreu i Kuvendit tha se Shqipëria do të qëndrojë gjithmonë në përkrahje të progresit të Maqedonisë dhe se së bashku mund të tërheqin më shumë investime. “Të veçuar jemi shumë të vegjël, të bashkuar krijojmë një treg të madh për tërheqjen e investimeve. Ne jemi krenarë për komunitetin maqedonas në Shqipëri, shembull i shkëlqyer i bashkëjetesës dhe integrimit në vendin tonë. Sot nevojitet zhvillimi i politikave inteligjente e pragmatike. Konkurrenca e tregjeve po zhvillohet jo midis shteteve por midis rajoneve”, tha Meta.

Ai ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që Maqedonia ka dhënë për Kosovën dhe dialogun mes saj dhe Serbisë. “Ne qëndrojmë larg alternativave arkaike-nacionaliste. Jam besim plot se gjendemi në një moment të rëndësishëm historik. Shumë hendeqe janë kapërcyer. Ndiej krenari kur shoh investime shqiptare në Maqedoni, si në Mavrovë dhe Shkup, ashtu siç ndiej kënaqësi kur qytetarë maqedonas vijnë në Shqipëri”, u shpreh kreu i parlamentit.

Meta kërkoi avancimin e projektit hekurudhor që lidh dy vendet si dhe “Rrugës së Arbrit”, si dy elementë të rëndësishëm për marrëdhëniet e Shqipërisë dhe Maqedonisë.

“Integrimi ynë evropian duhet të avancojë paralel me projektet tona. Të avancojmë lidhjen hekurudhore mes Shqipërisë e Maqedonisë. Janë bërë hapa konkret për ndërtimin e “Rrugës së Arbrit” në pjesën shqiptare, në interesin tonë që edhe pala maqedonase të punojë për përfundimin e këtij aksi. Forcat politike në Tiranë e Shkup kanë për detyrë të avancojnë marrëdhëniet mes dy vendeve. Në thelb duhet të ndajmë të njëjtat interesa strategjike. Duke ju shprehur mirënjohjen për këtë rast, ju uroj në emër të kuvendit të Shqipërisë për një aktivitet politik sa më konstruktiv”, ka përfunduar fjalën e tij para deputetëve të Maqedonisë, kreu i Kuvendit Ilir Meta.

Ai do të takohet gjatë ditës së sotme në Maqedoni edhe me presidentin Gjorge Ivanov si dhe me kryeministrin Nikola Gruevski. Në ditën e dytë të vizitës, Meta do të ketë takime me krerët e partive politike, Ali Ahmeti e BDI-së, Menduh Thaçin e PDSH-së, por edhe takimi me kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: