NGA VALENTINA MADANI
Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, apelon për ringritje të PD-së përmes një strategjie dyvjeçare si e vetmja mënyrë për ta çuar atë drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Z.Shehi shprehet për “Gazeta Shqiptare” se e djathta duhet të ristrukturohet, ndërsa kreut demokrat, Lulzim Basha, i kërkon që për herë të parë të hapë letrat në tavolinë dhe të pranojë mendimin ndryshe në parti. Z.Shehi i kujton atij se PD-ja nuk mund të bëhet vetëm me djem që dinë të lidhin kollare, por të djathtës thotë ai I duhen edhe ata që nuk kanë nevojë të mbajnë kollare.

Z.Shehi, cilat janë arsyet e humbjes së thellë të së djathtës më 21 qershor?
Rezultati i 21 qershorit duhet parë në dy aspekte. Ne patëm humbje nga pikëpamja numerike, por opozita nuk u eliminua. Kushdo që mendoi se do ta eliminonte opozitën, gaboi, sepse opozita qëndroi. Duhet pranuar në fakt që shifrat janë të trishtueshme, po t’i shikosh pa i analizuar. Por ka edhe një lexim tjetër, nëse rezultatin e marrim në kontekstin e historisë në të cilën u zhvilluan zgjedhjet. Nuk kam parasysh këtu vetëm ankimin e vazhdueshëm në lidhje me presionin, vjedhjen, dhunën e ushtruar mbi elektoratin shqiptar, të cilat janë të gjitha të vërteta dhe unë jam nga ata që i kam denoncuar më herët dhe prej shumë vitesh. Nga ana tjetër, probleme dhe defekte ka pasur nga të gjithë, përfshirë edhe ne, partitë aleate.

Si mund të zgjidhet kjo situatë në të cilët ndodhet sot opozita, si mund të ringrihet e djathta shqiptare?
Një analizë më e ftohtë e gjithë asaj që ndodhi mund të bëhet në shtator. Kjo nuk është çështje thjeshtë e ish-ministrave, madje as e ish-kryeministrave. Kjo është një çështje që duhet ngritur nga e para, ku defekton oferta e kësaj opozite të re, e cila problemin më të madh të saj ka referencën me qeverinë e vjetër, pushtetin e vjetër, lavdinë e vjetër, kryeministrin e vjetër dhe kjo punë nuk mund të vazhdojë historikisht pa fund. Partia Demokratike dhe z.Basha duhet të shohin përpara që të ecin përpara, “kush sheh mbrapa, shkon mbrapa”. Kjo ide, kjo lloj përvuajtje që gjithmonë duhet të kritikojmë qeverinë e sotme dhe të lavdërojmë atë që ishte dje, ka bërë që shpeshherë tezat të jenë të paqëndrueshme.

…Dhe si mund të shkëputet opozita nga e shkuara?
Duhet një strategji afatgjatë dyvjeçare, e cila ta çojë opozitën drejt fitores së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Nuk duhet të ketë kthim mbrapa. Të gjitha tezat duhet të jenë në funksion të perspektivës politike, jo të justifikimit të asaj që ka ndodhur para dy viteve. Duhet të shikohet drejt së ardhmes.

A i ka këto shanse e djathta?
Janë të gjitha shanset për t’u ringritur në nivelin politik dhe për t’u bërë një ofertë e besueshme. Vetëm në këtë mënyrë mund të rikthejmë besimin te qytetarët shqiptarë. Unë e kam thënë dhe më parë që ka ardhur koha që qendra e djathtë të pastrohet ideologjikisht në një farë mënyre. Raportin të mos e bëjë më me parti dhe partiza, por ta bëjë me qytetarët. Ata kanë milionat e numrave dhe votave dhe jo partitë politike. Për mua, shumica e atyre partive janë parazitë që hanë në shtratin qeveritar, siç hanin dhe shumica e aleatëve në kohën e PD. Pse kishte aq shumë aleatë PD? Ata nuk ishin aleatë moralë, ata ishin aleatë me pushtetin. Mua nuk më shqetësojnë këto lloj aleancash.

Çfarë ju shqetëson tjetër në raport me PD-në, pasi ju jeni shprehur se kjo parti është mbushur me djem që dinë të lidhin vetëm kollare?
Po, e kam thënë dhe e them sërish. Do të më shqetësonte që pas muajit shtator të mos ngrihet një platformë fituese dhe kur them fituese, të ketë edhe një lidership fitues dhe moral që t’u paraqitet shqiptarëve. Jo të rivendosen sërish ata që humbin dhe që janë përfolur. Edhe përzgjedhja që PD duhet të bëjë për lidershipin e ri duhet të jetë e kujdesshme, opozitës nuk i shërben çdo djalosh që ka marrë një diplomë dhe ka mësuar të lidhë kollaren. Në PD duhet të ketë vend si për ata që dinë të lidhin kollaret, edhe për ata individë që nuk kanë nevojë të lidhin kollare. PD-ja duhet të jetë e hapur për të gjithë dhe besoj se drejt kësaj do të shkohet, pasi vetëm në këtë mënyrë rimëkëmbet e djathta shqiptare. PD-ja ka humbur shumë dhe ringritja bëhet me punë dhe jo vetëm me 30-vjeçarë.

Si i keni përcjellë kritikat ndaj z.Basha nga brenda PD-së për humbjen e 21 qershorit?
Shpallja e rezultatit nxori në pah edhe zëra kundërshtues ndaj kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, brenda grupit të tij parlamentar. Zërat që nuk janë dakord me Bashën, të cilët dalin publikisht kundër tij, unë i konsideroj si emancipim brenda Partisë Demokratike. Situata brenda PD-së ka ndryshuar, si forcë politike është bërë më e hapur dhe lejon edhe zëra kundër. Unë nuk shikoj ndonjë dramë të madhe në këtë mes. Por, problemi i madh që ka Partia Demokratike është se, ngaqë nuk ishte mësuar me debatin e brendshëm, tani duket sikur ka ndodhur gjëma. Unë do gjykoja që nëse brenda këtyre debateve ka edhe qëndrime përtej manjilitetit politik, atëherë kemi një zgjerim të PD-së, që mund të ndryshojnë partinë dhe opozitën në përgjithësi. Edhe roli i ri i Bashës ky është. Jo të bëjë Berishën numër 2, nuk mund ta bëjë. Ai për herë të parë duhet të hapë kartat mbi tavolinë, duhet të pranojë mendimet ndryshe, pasi ndryshe do të vetëkufizohet në një grup të vogël njerëzish, të cilët shpeshherë nuk kanë as dimensionin e nevojshëm politik. Unë uroj që nga shtatori Basha të nisë tezën për të cilën fola dhe uroj, madje e kam sugjeruar që PD të bëjë opozitë 360 gradë.

Besoni te një koalicion PD-PS, siç po flitet kohët e fundit?
Opozita duhet të bëjë opozitarizimin dhe besoj se një aleancë e tillë do të kishte ndonjë avantazh. Gjërat nuk zgjidhen me kulisa koalicionesh, por bëhet duke ngritur problem dhe duke gjetur rrugët e zgjidhjeve. Pastaj, nëse bëhet fjalë për çështje madhore, le të bëjnë koalicion e ç’të duan, por nuk shoh asnjë avantazh. Ne duhet të bëjmë punën tonë si opozitarë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: