Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi gjatë një takimi me gazetarët në Prishtinë, se kërkesa e tij për udhëheqësit në Kosovë dhe në mbarë rajonin, është që ata të jenë të parashikueshëm në veprime që ndërmarrin dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme.
Rutte foli edhe për marrëveshjen mes Kosovës dhe NATO-s që nuk ia lejon Forcës së Sigurisë së Kosovës që të shkojë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pa miratimin e aleancës.
“Për aq kohë sa nuk ka një marrëveshje të re, duhet të respektojmë marrëveshjen ekzistuese. Marrëveshja thotë se nëse FSK-ja dëshiron të dislokohet diku, veçmas në veri, duhet të ketë dakordim paraprak me KFOR-in.
Kur bëhet fjalë për Policinë e Kosovës, nëse janë afër kufirit, është e rëndësishme që të paktën ata të njoftojnë në kohë KFOR-in. Duam që kjo të vazhdojë dhe e di që Qeveria është e përkushtuar për këtë”, tha shefi i NATO-s.
“Sigurisht, nuk mund të parashikoni nëse gjërat do të ndryshojnë me kalimin e kohës. Por, nuk ka asgjë të re për të cilën mund t’iu njoftoj tani në këtë drejtim”, shtoi ai.
Shefi i NATO-s Rutte tha misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, ofron siguri dhe stabilitet për të gjitha komunitetet, por shtoi se zgjidhja për paqe afatgjatë është politike.
“SHBA-ja është e përkushtuar tërësisht në KFOR, në NATO. Presidenti amerikan, Donald Trump para dy javësh në Zyrën Ovale u takua me presidentin francez dhe kryeministrin britanik dhe u përkushtua për nenin 5 dhe NATO-n. E di që SHBA-ja është e përkushtuar në KFOR”,- tha Rutte.
Ndërkaq, i pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse forcat e mundshme paqeruajtëse të udhëhequra nga Evropa në Ukrainë mund të çojnë në ndryshimin e pranisë së KFOR-it në Kosovë ose në garancitë e sigurisë që NATO ofron në Kosovë, Rutte tha se ajo që nevojitet fillimisht në Ukrainë është një marrëveshje paqeje.
(Balkan Web)