Faza akute e pandemisë së koronavirusit mund të përfundojë këtë vit, nëse shtetet përdorin të gjitha mjetet që kanë në dispozicion, ka thënë të hënën shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Ai i ka thënë komitetit ekzekutiv të OBSH-së, se qëllimi mund të arrihet nëse rritet shkalla e vaksinimit në vendet e varfra dhe kryhen më shumë testime.

“Nëse shtetet shfrytëzojnë të gjitha strategjitë dhe mjetet në mënyrë gjithëpërfshirëse, ato mund t’i japin fund fazës akute të pandemisë këtë vit”, ka thënë ai.

“Ne mund t’i japim fund COVID-19 si emergjencë globale shëndetësore dhe mund ta bëjmë këtë gjatë këtij viti”.

Ai u ka thënë ministrave të shëndetësisë dhe zyrtarëve nga 34 shtete se tanimë është tejkaluar mungesa e vaksinave dhe sfidë logjistike përbën procesi i dërgimit të dozave në të gjitha kombet.

Megjithatë, shefi i OBSH-së ka bërë thirrje për kujdes.

Ai ka thënë se përhapja e shpejtë e variantit Omicron të koronavirusit nënkupton se 100 raste të reja janë raportuar çdo tre sekonda në OBSH, javën e kaluar.

Një vdekje është raportuar çdo 12 sekonda.

“Është e rrezikshme të deklarojmë se Omicron do të jetë varianti i fundit dhe se jemi në fund të luftës”, ka thënë ai.

Sipas tij, 85 për qind e popullsisë në Afrikë nuk e ka marrë asnjë dozë të vaksinës kundër koronavirusit.

Nëse 70 për qind e popullsisë së secilit shtet vaksinohet në muajt e ardhshëm, virusi mund të mposhtet, ka shtuar Tedros.

Ai ka thënë se trajtimet për këtë virus duhet të përmirësohen, në mënyrë që të zvogëlohet shkalla e vdekshmërisë./rel

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb