Ardian Çela, administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, u pyet dje si dëshmitar në procesin gjyqësor në ngarkim të Kastriot Ismailajt në Gjykatën e Tiranës, raporton “Panorama”. Në këtë gjykim, Ismailaj akuzohet për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim parash” në lidhje me çështjen “CEZ-DIA”. Dëshmia e kreut të OSHEEsë u kërkua nga pala mbrojtëse. Për gati dy orë me radhë, dëshmitari iu përgjigj pyetjeve të të akuzuarit për takimin që kishte pasur në vitin 2014 me përfaqësuesen ligjore të DIA-s, Rebeka Gaskin. Njëkohësisht ai shpjegoi edhe njohjen me disa ishpunonjës të DIA-s, që sipas Ismailajt, aktualisht janë punësuar në OSHEE.

Në seancën e kaluar, Gjykata kishte vendosur të thërriste si dëshmitar në proces edhe ish-ministrin e Energjetikës, Damian Gjiknuri. Trupi gjykues relatoi se nuk kishte përgjigje nëse dëshmitari Gjiknuri kishte marrë dijeni për njoftimin.

DESHMIA
Nga tavolina e dëshmitarit, Ardian Çela u dha përgjigje kategorike mohuese pyetjeve të të pandehurit Ismailaj, nëse gjatë ushtrimit të funksionit të administratorit të OSHEEsë të ketë prodhuar, depozituar a firmosur ndonjë dokument fiktiv, të pavërtetë, apo të falsifikuar. “Në dijeninë time, jo”, ishte përgjigjja e Çelës.

Në vijim dëshmitari shpjegoi kontaktin e tij me Rebeka Gaskin, përfaqësuesen e DIA-s, e cila u tërhoq nga Arbitrazhi kundër shtetit shqiptar. “Me DIA-n kam pasur dy momente. Unë jam emëruar në detyrën e administratorit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike më 1 dhjetor 2014. Më 2 dhjetor, përmes juristit, ka ardhur një kërkesë nga Rebeka Gaskin për takim. Takimi është realizuar më 3 dhjetor 2014. Rebeka Gaskin ka sjellë një shkresë ku thoshte se Kastriot Ismailaj nuk ishte më administrator i DIA-s dhe kërkonte tërheqje pa kushte nga çështja në Arbitrazh. Dokumentacioni u shqyrtua nga grupi i juristëve dhe më pas unë e kam firmosur”, tha dëshmitari Çela. Më tej ai sqaroi se takimi ishte realizuar në zyrën e administratorit të OSHEE-së.

“Pjesëmarrës në këtë takim isha unë, juristi Rrezart Ruçi dhe Rebeka Gaskin. Nuk mbaj mend të ketë qenë njeri tjetër”, u shpreh dëshmitari.

PUNONJESIT E DIA
I pandehuri Kastriot Ismailaj i paraqiti dje dëshmitarit Çela një listë me 10 emra ish-punonjësish të shoqërisë DIA, mes tyre edhe të dëshmitarit Romeo Kara. Sipas Ismailajt, aktualisht emrat e listuar janë punësuar në OSHEE si “shpërblim” kundrejt bashkëpunimit të tyre me organin e akuzës kundër tij. Dëshmitari rrëfeu njohjen apo mosnjohjen me secilin, duke theksuar se nuk kishte dijeni nëse më herët ata kishin qenë apo jo të punësuar në DIA. I pyetur në lidhje me një kontratë furnizim-vendosje të një shoqërie të shtetasit Elvis Mataj, ish-administrator i DIA-s, Çela, tha: “Kontratat e OSHEE janë në zbatim të ligjit për prokurimet publike. Ato janë lidhur mes Operatorit dhe shoqërive, të cilat kanë përmbushur kriteret e kërkuara ligjore dhe jo me persona fizikë”./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: