KORCE – Administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Adrian Çela zhvilloi disa takime me drejtuesit lokalë të Drejtorisë Rajonale OSHEE, Korçë, në kuadër të fushatës në terren, për tu njohur me problematikat e sektorit, njohjen me planin e masave dhe objektivat për 2015-n.

“Është një rajon me rezultate pozitive, por jo aty ku ne duam të arrijmë. OSHEE ka vendosur targete për uljen e humbjeve, rritjen e nivelit të faturimit dhe arkëtimeve, prandaj dhe stafit të Korçës i dalin detyra të rëndësishme për 2015-n, në kuadër edhe të zotimeve që shoqëria ka ndërmarrë ndaj qeverisë dhe Bankës Botërore”, – u shpreh për mediat administratori Çela.

Sipas kreut të OSHEE-së, Korça është model pozitiv për nga performanca, prandaj kërkohet që, jo vetëm të arrijë objektivat, por t’i tejkalojë, në mënyrë që drejtoritë e tjera ta ndjekin nga pas.

“Jemi të qartë se realizimi i objektivave arrihet përmes rritjes së performancës së stafit dhe investimeve, pika këto të cilat unë i trajtova me mjaft rëndësi gjatë mbledhjeve me degët e rajonit”, -u shpreh Çela.

Për rajonin kryesor të Juglindjes, parashikohet ndërtimi i një nënstacioni në zonën e Ersekës, me vlerë 1.1 milionë USD, kompletimi më matësa, kabllo ABC për transmetimin, etj, në vlerë rreth 1.3 milionë USD. Në total, përfshi edhe projektet e tjera, parashikohet të investohen për vitin 2015 mbi 2.6 milionë USD, vlerë kjo që i jep garanci me furnizim cilësor rajonit të Korçës, sidomos zonave turistike, si Dardha.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: