TIRANE- Emërimi i Ardian Çelës në krye të OSHEE, ka përplasur Partinë Demokratike me kryeministrin Rama. Pas publikimit të lajmit se Çela rezulton nën hetim nga Prokuroria e Durrësit për abuzim me tenderat, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani deklaroi se Rama po fut qytetarët e varfër në burg dhe po vendos në poste drejtuese personat e akuzuar për korrupsion.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili i quajti sajesa deklaratat e PD-së, se Çela është nën hetim as kallëzimit nga KLSH. Rama i është përgjigjur në të njëjtën mënyrë PD-së, si në rastin e akuzave për mbajtjen në qeli të një 5-vjeçareje, pasi nëna e saj kishte rilidhur energjinë.

“Të vendosësh në krye të OSSHEE sot një individ nën akuzë penale është e pajustifikueshme po ta sajosh këtë për luftë politike çfarë është?”, ka shkruar kryeministri Rama në facebook.

 

RISTANI: QYTETARET E PAMUNDUR NE BURG, HAJDUTET E ENERGJISE NE OSHEE

 

Ndërkohë më parë Ristani deklaroi se Çela është nën hetim nga Prokuroria e Durrësit për 8 tendera që ka zhvilluar, ku dëmi i shkaktuar shtetit është 1.4 milionë dollarë. “Edi Rama e plotësoi ciklin e inkriminimit të OSHEE-së, duke caktuar në krye të operatorit të energjisë një person që është nën hetim për korrupsion nga prokuroria e Durrësit. Pasi caktoi, debitorë, hajdutë energjie, njerëz me precedentë penalë nëpër degët e OSHEE-së në rrethe, Edi Rama ia besoi dy ditë më parë drejtimin e energjisë në vend, Ardian Çelës, i cili është aktualisht nën hetim për favorizim në tendera”, u shpreh Ristani.

Më tej ai tha se Çela është paditur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në qershorin e vitit të kaluar, pas shkeljeve që ky institucion gjeti në tenderat që ai kishte zhvilluar në Bashkinë e Durrësit, si kryetar komisioni.

“Media raporton se Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur abuzime në 8 tendera të zhvilluara nga i besuari i Edi Ramës, dhe sipas kontrollit, dëmi që ai ka shkaktuar është 1.3 milionë dollarë”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PD, Ristani.

Ai akuzoi kryeministrin Rama se me aksionin policesk që ka ndërmarrë ka çuar në burg qytetarë të varfër dhe se ka mbjellë errësirën në mijëra familje që jetojnë në skamje.

“Aksioni policesk, arbitrar e brutal i Edi Ramës, ndaj qytetarëve që nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë, se janë papunë dhe në mjerim ekonomik, ka çuar në qelitë e burgut, kryefamiljarë, prindër, motrën 17-vjeçare që kujdeset për vëllezërit e motrat jetime. Aksioni i Edi Ramës ka dërguar në komisariat edhe vajzën 5-vjeçare të një gruaje të dëshpëruar që nuk paguan dot energjinë se nuk ka asnjë të ardhur. Aksioni policesk i Edi Ramës ka detyruar një nënë nga Durrësi të ndërmarrë hapa ekstreme që i kushtuan jetën, vetëm e vetëm për të ndriçuar vatrën e fëmijëve të saj, sepse qeveria nuk i krijoi asnjë mundësi për punë e dinjitet. Aksioni policesk, brutal i Edi Ramës ka mbjellë errësirën në mijëra familje shqiptare që jetojnë në skamje, falë politikave të kësaj qeverie”, është shprehur ai.

Ristani tha se Rama nuk ofron asnjë zgjidhje për qytetarët që përballen me faturat abuzive të OSHEE dhe se për këtë arsye do të përballet me protestën e qytetarëve.

“Qytetarët e papunë, dhe me ekonomi të rrënuar, përballen me faturat abuzive të OSHEE dhe kamatvonesat mbi këto fatura. Çfarë bën Edi Rama? Nuk ofron asnjë zgjidhje. Emëron në krye të OSHEE, një person që është nën hetim për korrupsion. Ky është pra modeli i Edi Ramës. Qytetarët e pamundur në burg, hajdutët e energjisë në OSHEE, dhe ai që është nën hetim për korrupsion me 8 tendera me 1.3 milionë dollarë dëm shtetit, Drejtor i Përgjithshëm. Protestë dhe protestë do të ketë. Bashkimi masiv, popullor, i qytetarëve për drejtësi, për punë e dinjitet, do ta ndalë të keqen”, përfundoi Ristani.

Padia e KLSH-së ndaj Ardian Çelës është ngritur më 30 qershor 2013, pasi, si Kryetar i Komisionit të Tenderave në Bashkinë e Durrësit, rezulton të ketë bërë favorizime dhe shkelje të tjera ligjore në favor të disa kompanive. Çështja penale është ende e hapur në Prokurorinë e Durrësit. Çela zëvendësoi në këtë detyrë Arben Seferaj, i cili u dorëhoq për arsye personale.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb