Kreu i PD Durrës, Ferdinant Xhaferraj deklaroi sot se fermerët janë të braktisur dhe të mashtruar nga qeveria. Xhaferraj tha se Rama premtoi katër vite më parë 230 milion dollarë subvencione për bujqësinë, por subvencione janë dhënë vetëm për oligarkët edhe në fushën e bujqësisë.

Sipas tij, me PD në qeverisje asnjëherë fermerët nuk do të jenë vetëm, nuk do të ndjehen të braktisur, në të gjitha problemet që do të ndeshin.

DEKLARATA E PLOTË
Fermerët: Të braktisur dhe të mashtruar nga qeveria në ikje
Fermerët janë të braktisur sepse kudo në të gjithë Shqipërinë kemi parë se vuajnë si mbështetjen e investimeve në infrastrukturë, ashtu edhe për të gjetur treg. Nëpërkëmbjes dhe braktisjes së qeverisë i janë përgjigjur duke hedhur në rrugë produktet bujqësore dhe duke u larguar masivisht nga Shqipëria.
Fermerët janë të mashtruar sepse Rama premtoi katër vite më parë 230 milion $ subvencione për bujqësinë, por subvencione janë dhënë vetëm për oligarkët edhe në fushën e bujqësisë.
Mashtrimet dhe abuzimet vazhdojnë edhe me mbështetjen për fermerët për dëmtimet nga tërmeti.
Qeveria “Rilindja” nxori një Akt Normativ Nr.9, datë 16.12.2019 “Për përballimin a pasojave të fatkeqësisë natyrore”. Ky akt normativ u pasua me një Vendim të Komisionit Shtetëror të Rindërtimit, Vendim Nr.40, date 28.07.2020, për ndarjen e fondeve sipas fushave ku edhe bujqësia ishte e përfshire.
Fermerëve iu kërkua dhe aplikuan për dëmet nga tërmeti dhe që në dhjetor të 2019 janë përgatitur akt-konstatimet. Për më shumë se një vit, fermerëve i është thënë dhe rithënë që do të zhdëmtohen, por deri tani nuk kanë marrë asgjë. Nuk kanë marrë asgjë sepse duhet të shkojnë tek sekserët e qeverisë për të marrë jo zhdëmtime, por thërrime, sepse copën e luanit e duan të babëziturit e qeverisë.
Partia Demokratike e ka bërë të qartë se me PD në qeverisje jo të gjitha problemet menjëherë mund të zgjidhen, por ajo qartazi ka premtuar se asnjëherë fermerët nuk do të jenë vetëm, nuk do të ndjehen të braktisur, në të gjitha problemet që do të ndeshin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: