Kryetari i sapozgjedhur i Degës së PD në Kavajë, Hysen Kadiu, ka denoncuar zhvillimet e fundit në qytet, sa i përket ndryshimeve në administratë dhe institucione. Ai tha se qeveria Rama po e zhbën Kavajën si qytet.

Përmes një reagimi, Kadiu thotë se Kavajën po e zhveshin çdo ditë nga Institucionet ndërsa qytetarët do duhet të bëjnë kilometra të tërë për të marrë një shërbim të domosdoshëm.

Kreu i PD akuzon Kryetari e Bashkisë Kavajë si dhe deputetin socialist se po heshtin ndërsa qeveria ka përgatitur largimin e Kadastrës dhe “ADISA”.

Postimi i Hysen Kadiut:

Kavajën po e zhbëjnë si qytet!
Ka ardhur momenti, që me ju, bashkëqytetarë, të ndaj një shqetësim, i cili na prek të gjithëve.
Që Kavaja jonë është parë me përbuzje dhe përçmim nga kjo qeveri është fare e qartë dhe qytetarët tanë tashmë e kanë kuptuar këtë.
Vendimi i fundit për eleminimin e qendrës së shërbimeve “ADISA” dhe për largimin e Drejtorisë së Kadastrës jashtë qytetit janë pjesë e një sërë aktesh politike, të cilat po e zhveshin Kavajën nga institucionet!
Periodikisht, qytetit tonë kanë filluar t’i presin krahët duke e zhveshur nga institucionet kryesore, të cilat i japin peshë një qyteti!
E para që e dërrmoi atë ishte Reforma territoriale, që la jashtë Bashkisë zona dhe pika strategjike të saj, të cilat historikisht kanë qenë pjesë e Kavajës.
Vazhduan më vonë duke zhbërë dalëngadalë Spitalin e qytetit dhe duke e kthyer nga një Spital Rajonal të pajisur me të gjitha kushtet bashkëkohore, në një Qendër shëndetësore, ku edhe për një operacion të thjeshtë duhet të shkosh me urgjencë në spitalin e Durrësit, ndërkohë që të rinjtë që mbaronin studimet mjekësore i degëdisën rrugëve të Europës.
Më pas rradhën do ta kishin Gjykata e rrethit dhe Drejtoria Arsimore. Të dyja këto institucione të rëndësishme po i largojnë nga qyteti ynë për t’u vendosur në Durrës.
Të parën me anë të Reformës gjyqësore, e cila pritet të vihet në funksion së shpejti, si pasojë e së cilës qyteti ynë do të mbesë pa gjykatë.
Ndërkohë Drejtorinë arsimore e kanë zëvendësuar me një zyrë vendore, të varur nga Drejtoria në Durrës, e cila nuk ka asnjë lloj kompetence në vendimmarrje.
Këto janë manovra burokratike dhe politike, të cilat qëllim të tyre kanë vetëm bërjen më të vështirë të jetesës së qytetarëve të Kavajës.
Sikur këto të mos mjaftonin, dashakeqësia e qeverisë ndaj Kavajës nuk mund të mbetej me kaq.
Rradhën do ta kishte institucioni i “Kadastrës” dhe zyra e shërbimeve “ADISA”.
Këto dy institucione jetike nuk do të gjenden më në qytetin tonë, por shërbimet e tyre do të transferohen jashtë qytetit.
Të gjitha këto akte politike janë një hakmarrje e pastër ndaj Kavajës, ndaj shpirtit rebel dhe antikomunist që gjendet në ADN-në tonë. Ashtu si në Komunizëm, kur Kavaja shikohej me përbuzje dhe konsiderohej si një qytet i dorës së dytë, njejtë dhe tani bijtë e etërve ndërmarrim akte në urrejtje ndaj qytetit tonë duke u përpjekur për ta zhbërë vlerën e Kavajës si qytet!
Kryetari i Bashkisë dhe deputeti i zonës duhet të kishin ngritur zërin për këtë padrejtësi dhe përçmim që po i bëhet qytetit sepse pavarësisht mënyrës se si janë zgjedhur, gjë që dihet nga të gjithë, në fund të ditës janë shërbëtorë të qytetarëve dhe duhet të jenë protektorë të interesave të tyre.
Por asgjë nuk bënë!
Duke qenë të lidhur pas karriges dhe pushtetit, duke parë vetëm interesin dhe pazaret poshtë tavolinave, jo vetëm që nuk kanë guxuar të ngrenë zërin, por vazhdojnë të fshihen pas fasadës së shëmtuar të “punëve publike”, ku asgjë publike nuk mund të ishte dhe nuk mund të jetë më e rëndësishme se shërbesa ndaj qytetarëve.
Fakti se janë jo më shumë se një zgjatim i pushtetit qëndror, i cili i përdor për interesa të tij, harrojnë se një ditë përballë qytetarëve do japin llogari edhe për këtë!
Kavaja nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë një shtojcë si ata po përpiqen ta trajtojnë, duke i gllabëruar çdo gjë, por ka qenë, është dhe do të mbetet qyteti me vlera të papërsëritshme, autentike dhe qytetare.
Askush nuk do mund të devijojë interesin qytetar dhe dëshirën e tyre për ta parë qytetin ashtu si ai e meriton.
Kavaja ka memorie!
Ajo kurrë nuk do ta harrojë padrejtësitë që i janë bërë këto vite dhe është e afërt koha, kur qytetarët do të ndëshkojnë me votë, ashtu si kanë bërë gjithmonë, këta shërbëtorë të qeverisë, të cilët e dinë edhe vetë që për ta po fillon numurimi mbrapsh.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: