NGA XHENSILA KODRA

TIRANE- Ashpërsimi i masave nga Policia Rrugore, kryesisht referuar zbatimit të nenit 170 të Kodit Rrugor ka bërë që qytetarët të sensibilizohen dhe të jenë më të kujdesshëm në drejtimin e mjeteve. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, drejtori i Policisë Rrugore Tiranë, Ervin Hasrama shprehet se “nga muaji korrik në muajin gusht ka një diferencë rreth 300 gjoba më shumë, ndërsa nga muaji gusht deri në shtator ka një rënie të lehtë të numrit të gjobave, çka do të thotë se përdoruesit e mjeteve kanë filluar të sensibilizohen”. Po sipas kreut të Rrugores, vetëm në tre muajt e fundit gjithsej janë vendosur 40,749 gjoba. Kurse mesatarja ditore për masat administrative arrin deri në 650.

Rreth 3 javë më parë ka nisur zbatimi i ligjit për gjobat ndaj qytetarëve që nuk vendosin rripin e sigurimit. Pikërisht për këtë gjë u bë edhe një fushatë sensibilizimi.Mendoni se qytetarët janë ndërgjegjësuar përsa i përket këtij neni të Kodit Rrugor?
Në fillim të muajit ka pasur një periudhë sensibilizimi për qytetarët, për vendosjen e rripave të sigurimit si për drejtuesit, ashtu edhe për pasagjerët, si dhe për pajisjet fiksuese në automjete. Pas kësaj filloi edhe zbatimi i masave administrative për të gjitha ato kategori personash apo përdoruesish mjetesh apo edhe udhëtarë, që nuk përdorin rripin e sigurimit. Po të shohim sipas një statistike, në tre muajt e fundit, nga korriku në gusht kemi një diferencë rreth 300 gjoba më shumë. Ndërsa, nga muaji gusht deri në shtator kemi një rënie të lehtë të numrit të gjobave, çka do të thotë se përdoruesit e mjeteve kanë filluar të sensibilizohen. Jo vetëm drejtuesit e mjeteve, por edhe pasagjerët.

Vetëm në Tiranë, sa është numri i gjobave për muajt e fundit dhe për shkelje të ndryshme?
Në total, për tre muajt e fundit (korrik, gusht, shtator) janë rreth 40,749 gjoba.

Cilat janë shkeljet më të rënda që bëhen nga qytetarët, që edhe numri i masave administrative është më i lartë?
Nëse bëjmë një klasifikim për shkeljet e ndryshme, numrin më të madh e marrin parkimi i gabuar i mjeteve, përdorimi i celularit, mospërdorimi i rripit të sigurimit dhe parakalimet e gabuara. Këto katër kategori kanë numrin më të madh të gjobave.

Sa masa administrative janë vendosur vetëm për mosvendosjen e rripit të sigurimit që nga momenti i zbatimit të nenit 170 të Kodit Rrugor?
Pas periudhës së sensibilizimit deri ditën e djeshme (të mërkurën) janë vendosur 1,853 gjoba për qytetarët që nuk kanë vendosur rripin e sigurimit. Po për shkelje të ndryshme? Gjatë tri muajve të fundit, vetëm për rripin e sigurimit janë vendosur 6,300 masa administrative. Për alkoolin (pa arreste, por vetëm leje drejtimi të pezulluara) janë vendosur 234 masa administrative. Ndërsa, vetëm në muajin shtator, për drejtuesit e mjeteve që transportojnë persona mbi kapacitetin e përcaktuar janë vendosur 101 masa administrative.

Sa është mesatarja ditore për masat administrative?
Mesatarja ditore për masat administrative arrin deri në 650. Ndërsa, vetëm për mosvendosjen e rripit të sigurimit, vetëm në një ditë masat administrative arrijnë deri në 61.

Po për qytetarët që nuk mbajnë fëmijët në mbajtësen e tyre, apo që i ulin fëmijët në sediljen e parë, a ka masa administrative të vendosura dhe a janë sensibilizuar qytetarët lidhur me këtë fakt?
Në këtë aspekt ka qenë sensibilizimi më i madh i përdoruesve të mjeteve. Është një numër shumë i vogël qytetarësh që e kanë shkelur këtë nen. Që nga fillimi i zbatimit të nenit 170 i Kodit Rrugor, qytetarët kanë filluar t’i ulin fëmijët mbrapa dhe t’u vënë atyre mjetet fiksuese dhe t’i fiksojnë me rripat e sigurimit për të marrë masat e sigurisë për udhëtim.

Është një konfuzion shumë i madh për prindërit me dy fëmijë apo me më shumë fëmijë për sediljet e tyre. Si veprohet në këtë rast?
Për fëmijët nën 4 vjeç duhet që të jenë me pajisjet fiksuese. Kjo gjë është e përcaktuar edhe në nenin 170 të Kodit Rrugor. Çdo drejtues mjeti që në makinë ka dy apo edhe tre fëmijë nën moshën 4 vjeç, duhet të kenë me patjetër po dy apo tre pajisje fiksuese, që janë sediljet e fëmijëve. E njëjta gjë vlen edhe për fëmijët nën moshën 12 vjeç, për të cilët është e ndaluar të ulen në sediljen e parë. Dhe gjatë kohës që janë të ulur në sediljet e pasme, duhet të kenë pajisjet fiksuese. Në disa raste aksidentesh, fajtorë kanë qenë edhe këmbësorët.

A ka qytetarë të gjobitur për këtë gjë?
Po ka, por është një numër relativisht i vogël për gjobat e vendosura ndaj këmbësorëve. Disa i kanë quajtur masa shumë të rrepta gjobat, heqjen e patentës.

Sa zhvillim prisni ju dhe çfarë duhet të presin qytetarët në zhvillimin pozitiv të këtyre masave?
Po të balancosh masat administrative që merren për mosvënien e pajisjeve të sigurimit gjatë udhëtimit dhe se çfarë pasojash sjell, është një masë e pallogaritshme. Kjo, për arsye se gjatë një aksidenti rrugor, qytetarët në qoftë se nuk kanë vënë rripin e sigurimit, sjellin dëme për shëndetin e deri në humbjen e jetës. Nuk mundet të llogaritet një masë administrative me dëmin që i shkakton shëndetit, trupit apo edhe humbjes së jetës.

Çfarë masash janë marrë me nisjen e shkollave në kryeqytet?
Në bashkëpunim me bashkinë janë marrë masa në përcaktimin ose për lirimin e hapësirave përpara shkollës, me qëllim që mjetet e transportit të fëmijëve, të cilët sjellin dhe marrin nxënësit e shkollave të kenë hapësirën e tyre për kohën që u duhet. Në vijimësi bëhen kontrolle të këtyre mjeteve, si në rregullsinë e dokumentacionit, në parametrat që duhet të kenë, në numrin e nxënësve që transportojnë dhe mjeteve fiksuese ose siguruese.

Po përsa u përket masave në qytet e sidomos në zonën e ‘Unazës’, ku vihen re automjete që ecin tej normave të lejuara, si po procedohet?
Janë ngritur kontrolle periodike në akse e segmente të ndryshme për kontrollin e shpejtësisë, apo të atyre që bëjnë manovra të gabuara si në parakalim, ashtu edhe gjatë ecjes. Është krijuar një logjikë në popull se nëse je dikush, ke lehtësira.

Sa raste keni pasur kur ju kanë telefonuar se ky është miku im, apo djali i filanit?
Ligji dhe rregulli është një për të gjithë dhe për shkeljet e ligjit nuk mund të ketë tolerime të tilla. Raste të tilla edhe mund të ekzistojnë. Unë nuk kam pasur asnjë rast të tillë dhe për të gjithë është marrë masa administrative, ashtu siç e parashikon ligji.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb